Enes Hajrullahu është vetëm 16-vjeçar, por ka arritur të depërtojë në ekipën e parë të Ulpianës nga Lipjani. Madje, që në përballjen debutuese, Hajrullahu arriti të bëjë gol në sfidën e zhvilluar kundër Flamurtarit në Prishtinë. 19 gola në 14 sfida për U-17, është tregues se bëhet fjalë për një yll në ardhje për futbollin e Kosovës.
Shkruan: Gëzim Olluri
Sulmuesi i grupmoshave U 17 – Enes Hajrullahu, debutimin e tij për klubin e Ulpianës e ka shndërruar në debutim ëndrrash, duke arritur golin e parë të karrierës. Enesi shihet si talent premtues dhe shpresa e së ardhmes për futbollin shqiptar.
Loja në ajër, saktësia në pasime, kontrolla e topit dhe lëvizjet e shpejta në zonën e sulmit, janë disa nga elementet teknike që e veçojnë talentin nga Lipjani në fushën e lojës. Enesi pjesë e Ulpianës është që nga vegjëlia dhe ka arritur të brumoset si futbollist nëpër të gjitha grupmoshat e klubit.
Në vetëm 14 përballje për këtë sezonë me U-17, ai ka arritur të regjistroj 19 gola për fanellën e Ulpianës. Ai luan si sulmues i krahut të majtë e të djathtë. Me U-17 bartë numrin 7 në fanellë, ndërsa me ekipën e parë mbanë numrin 15. Talenti nga Lipjani shprehet i kënaqur me paraqitjen e tij startuese me ekipën e parë dhe golin e shënuar.
“Debutimi im me ekipën e parë ka qenë shumë i mirë e ku m’u dha rasti të inkuadrohem në pjesën e dytë. Pjesa më e mirë ishte kur shënova gol dhe padyshim ndjenja më e mirë që e përjetova. E falenderoj trajnerin Emin Bajrami dhe Visar Bardhin për mundësinë e dhënë”, shprehet Enes Hajrullahu.
Super talenti ëndërron që një ditë zbarkojë në skenën e futbollit europian, rrespektivisht në skuadrën e Real Madridit. “Ëndrrat e mia në të ardhmen janë lart e më lart. Dëshira ime është të zbarkojë në europë dhe të luaj për ekipin mbretëror – Real Madridin”, thotë Enegoli.
Optimist për talentin e ri është shprehur edhe trajneri i Ulpianës, Emin Bajrami. “Enesi është një futbollist me shumë perspektivë. Ende është në zhvillim e sipër. Është një diamant i papërpunuar që do përpunim. Unë i kam parë aftësitë e Enesit dhe pa hezitim e kam inkuadruar në ekipën e parë, ku ja kam dhënë mundësinë në kampionat si 16-vjeçar e ku ka debutu në ndeshjen ndaj Flamurtarit, duke shënuar gol”, ka thënë Bajrami.
Tutje shton se trajnerët duhet të kenë guxim që t’i promovojnë talentët e rinj. “Trajnerët duhet te jenë te guximshëm për me promovu talentë. Duhet t’iu jepet mundësia sepse ka shumë talentë qe ende nuk janë dalë në skenë pikërisht për shkak të mosguximit”, thotë Bajrami, i cili është duke e drejtuar Ulpianën drejt Superligës.
Kujtojmë që Ulpiana garon në Ligën e Parë në Grupin B, duke u renditur e katërta në tabelë me 28 pikë pas 14 javësh të zhvilluara. Njëherish synon inkuadrimin në Superligë dhe janë vetëm tri pikë larg vendit të parë. Në garë për inkuadrim në Superligë së bashku me Ulpianën janë edhe Vjosa, Prishtina e Re dhe Ferizaji. /FolDrejt/