Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka formuar një degë të partisë së tij politike për “njerëzit me rrënjë të huaja” në Gjermani për të “kundërshtuar racizmin anti-mysliman”.
Erdogani ka njoftuar se Aleanca Demokratike për Diversitet dhe Zgjim (DAVA), e cila u themelua zyrtarisht më 7 janar, do të marrë pjesë në zgjedhjet evropiane që do të mbahen në qershor të këtij viti.
Themelimi i partisë, e cila, siç shkruan Daily Mail, është degë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Erdoganit në Turqi, shkaktoi menjëherë reagime dhe shqetësime te partitë në Berlin.
Kjo vjen pasi një ligj u ndryshua muajin e kaluar që lejoi ata që jetojnë jashtë BE-së të kenë shtetësi të dyfishtë në Gjermani, duke u dhënë potencialisht 1.5 milionë turqve që jetojnë në Gjermani të drejtën e votës.
Partia e re pritet të drejtohet nga Teyfik Ozcan, i cili këmbëngul se financat e partisë do të rriten brenda vendit. Në Gjermani është e paligjshme marrja e fondeve nga shtetet e huaja.
Gushtin e kaluar, Zyra Federale Gjermane për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) raportoi se më shumë se 23 mijë shtetas turq kishin aplikuar për azil në vend deri në atë muaj të vitit 2023, rritje prej 203 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kujtojmë se Erdogan gëzon një reputacion të mirë për shkak të punës dhe angazhimit të tij të madh dhe ka mbështetës të shumtë turq që jetojnë në Gjermani.