Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj, gjatë ditës së sotme kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Takimi ka pasur një theks të veçantë për sfidat që Kosova po përballet gjatë procesit të dialogut me Serbinë.
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të, duke e vlerësuar atë si rrugën e vetme që mund të garantojë një epilog të suksesshëm për çdo proces të Kosovës.
“Takimin e karakterizuan biseda të hapura dhe të sinqerta me theks të veçantë për sfidat që po kalon Republika e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Bashkëpunimi shumë i ngushtë me SHBA-të, është rruga e vetme që garanton epilog të mirë të secilit proces për Kosovën.”, ka shkruar ish-kryeministri i Hoti.
Hoti ndër të tjera ka thënë se miqësia e ndërtuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është bekim për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.