Estonia ka vendosur të dërgojë ndihmën e saj më të madhe ndonjëherë me armë të rënda në Ukrainë, me vlerë prej 113 milionë eurosh.
Sipas deklaratës së Qeverisë së Estonisë, në Ukrainë do të dërgohen antitankë dhe municione të ndryshme me vlerë prej 113 milionë eurosh, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Kjo bën që ndihma jonë totale ushtarake për Ukrainën të kalojë 1 për qind të prodhimit tonë të brendshëm bruto”, tha kryeministrja estoneze Kaja Kallas në Twitter.
Duke theksuar se duan që lufta të përfundojë, Kallas tha se “Rusia po jep sinjale të qarta se dëshiron të vazhdojë luftën. Pavarësisht humbjeve në njerëz dhe teknologji, Rusia ka ende mijëra tanke, automjete të blinduara dhe artileri për të luftuar”.
“Për këtë shkak i gjithë komuniteti transatlantik duhet të bëjë më shumë dhe të ofrojë ndihmë ushtarake në një shkallë më të madhe dhe me shpejtësi më të madhe për të siguruar fitoren e Ukrainës. Le të hedhim një vështrim në stoqet tona dhe le të lëmë industrinë tonë të prodhojë më shumë, më shpejt”, tha Kallas.
Ajo nënvizoi se agresioni rus ka një çmim për të gjithë. “Ne e paguajmë këtë çmim në euro, por Ukraina e paguan me jetë të njerëzve. Nëse agresioni funksionon, ky çmim do të jetë shumë më i lartë për të gjithë botën”, tha Kallas./FolDrejt/