Në kuadër të këtij punimi do të trajtojmë tregimin “Udha e zânit” të Kujtim Rrahmanit në disa dimensione të caktuara letrare, konkretisht do të japim interpretime sa i përket modelit aktancial dhe kategorive bazike të këtij modeli.
Nga Fatlum Meholli
Fillimisht fokusi do të bie mbi kategorinë temporale dhe atë hapësinore, kategori këto që për nga kuantiteti analitik do të jenë më të shkurtra. Megjithatë, do të përpiqemi që t’i japim disa karakteristika bazike të këtyre dy kategorive. Sa i përket kohës, pra, do të sekuencializojmë çastet më të rëndësishme që ndërlidhen drejtpërdrejt me rrjedhën narrative, veprimet e personazheve. Sa i përket kategorisë hapësinore, do të fokusohemi te hapësirat kryesore në të cilat vendosen personazhet, ngjarjet ose situatat. Po ashtu, në bazë të disa treguesve hapësinorë do të mundohemi të hetojmë kohën në të cilën vendoset ngjarja.
Ndërkaq, pjesa tjetër e punimit trajton kategorinë e aktantëve, me ç’rast analizohen akterët kryesorë të tregimit, subjekt për subjekt, në përputhje me veprimet e tyre, me qëllim që të konstatohet për modelin aktancial dominant/kryesor i cili ndër tjerash përfaqëson tematikën.
- Modeli kohor
Tregimi i Kujtim Rrahmanit “Udha e zânit” i përgjigjet një kohe lineare të veprimit/rrëfimit. Kohën narrative në përgjithësi mund ta ndajmë në disa pjesë kryesore, pa i përfshirë reminishencat. Koha ndahet duke pasur për bazë ecurinë e personazhit Sali Sylës, me ç’rast kemi kohën:
- a) para shkuarjes në dasmë – në këtë pjesë kemi te bëjmë me prezantimin e personazheve dominuese dhe veçorive të tyre. Kështu që, rrëfehet për mjeshtërinë kënduese të Saliut, brengën e nënës dhe miqësinë e këngëtarit me kalin e tij, Pullalinë.
- b) udhës për në dasmë – këtu Saliu merr rrugën për në dasmë. Gjatë rrugës një mizë kali ia tremb Pullalinë, duke ia devijuar rrugën nga Vushtrria për në Dukagjin. Në këtë pjesë hyjnë në suaza të rrëfimit edhe zanat dhe ora, si figura mitologjike shqiptare, të cilat do të shqyrtohen më poshtë.
- c) gjatë dasmës – është pjesa kur Saliu arrin në destinacionin e caktuar; i përgjigjet ftesës së dasmorëve dhe në fund, gjatë mbrëmjes, i fascinon të pranishmit me sharkinë dhe zërin e tij magjepsës.
- d) pas dasmës ose pas vdekjes së Saliut – kemi të bëjmë me pjesën përfundimtare, në të cilën Saliu vdes si pasojë e caktimit/ose mallkimit ndaj zërit të tij unik, përmes aktit të burrit.
2. Modeli hapësinor
Sa i përket modelit hapësinor, në tregimin “Udha e zânit” mund të identifikohen disa hapësira në bazë të emërtimeve të tyre, që konsiderojmë se janë emërtime reale. Nëse i sekuencializojmë hapësirat, fillimisht kemi një ambient familjar/rural, aty ku qëndron Saliu, nëna, bashkëshortja dhe Pullalia. Vendi nuk është i përcaktuar me saktësi në këtë pjesë. Pas kësaj, kemi rrugën gjatë shkuarjes për në dasmë, me ç’rast përmendet Hani dhe më pas devijimi i rrugës duke çuar heroin në Dukagjin dhe te Kroni i Mbretit.
Hani, përveç si kategori hapësinore, mund të jetë një indikator përcaktues i kohës së ngjarjeve, me ç’rast mund të konstatojmë se ngjarjet zhvillohen nga gjysma e dytë e shek. XX e më parë, sepse pas kësaj periudhe përdorimi i haneve nuk ka qenë i theksuar.
Ndërkaq, dasma zhvillohet në Vushtrri, hapësirë me referencë reale. Kjo hapësirë ndër tjerash merr edhe karakteristikat e të folmes vushtrriase, kulturës e kështu me radhë
- Modeli aktancial (akterët)
Në kuadër të tregimit hasim në disa aktantë dhe rrjedhimisht në disa modele aktanciale, të cilat do t’i shqyrtojmë në vazhdim.
Konsiderojmë që modeli aktancial mbizotërues është ai që për subjekt ka personazhin e Saliut. Andaj, kemi:
Modelin e parë aktancial me subjekt Sali kangatarin, i cili mund të modelohet përafërsisht kështu:
Adresantin në këtë model po e marrin si një kategori abstrakte dhe konkrete njëkohësisht, me ç’rast kemi: a) fatin tragjik dhe b) ftesën e Saliut për në dasmë; kjo e dyta është nënrenditje e së parës.
Objekti i subjektit (Saliut) është shkuarja në dasmë, aty ku nuk do të mund t’i shmangej këndimit: qysh e ka lanë zoti me e rrejtë, pa dashtë, deri edhe nanën… se ku durohem pa knue me ba e me m’u tekë miqasia![1]
Çka i ndihmon atij për të arritur objektivin, nuk është njëjës. Andaj, në këtë rast kemi të bëjmë me disa ndihmës, siç janë:
- Pullalia – ndonëse nuk e ndihmon (në kuptimin: e cyt) me vetëdije drejt një fundi tragjik, ai prapë bëhet pjesë e kësaj. Pra, e bart subjektin për tek vendi i caktuar.
- Ora – figura mitologjike e inkorporuar brenda tekstit, në modelin aktancial me subjekt Saliun, ka funksion nxitës drejt fundit tragjik. Në këtë kontekst, nëse ora shihet në dimensionin psikologjik, mund të themi se prezanton anën dionisake të njeriut (kënaqësinë, pasionin, muzikën).
- Përmbushja e kërkesës së babait – kjo mund të merret si tejkalim i një pengese për të arritur qëllimin. Kërkesa e të atit për Saliun ishte që ky i fundit mos të këndonte nëpër dasma, së paku deri të ketë një pasardhës: “Edhe… pa pasë evlat n’votër, rue se gabon me knue…” ia kish pasë dhanë këshillën e fundit.[2] Dhe, në momentin që Saliu e përmbush këtë, nuk heziton që të niset për në dasmë. Andaj, edhe kjo nëse merret në aspektin psikologjik të personazhit mund të konsiderohet si një ndihmës në modelin aktancial me subjekt Sali Sylën (Kangatarin).
Gjatë rrugës për të arritur objektivin, subjekti përballet edhe me kategorinë kundërshtuese që edhe në këtë rast nuk është njëshifrore. Prandaj, kemi:
- a) nënën – si kundërshtari i parë i subjektit që këshillon gjithnjë për mosshkuarje në dasmë.
- b) zanat – si figura mitologjike që këtu dalin si antipod i orëve. Sjellim në vijim një shembull se si manifestohet kjo kundërshti, kur Saliu ishte në dilemë për të kënduar Zanat i thoshin “ma!”, Ora i thojke “ha…!”. Zanat “luftojnë” për të mbrojtur subjektin nga përmbushja e objektivit. Madje duke përdorur edhe mjete, që mund të merren si kategori të veçanta kundërshtuese, si shembull:
- c) miza e kalit – dërguar nga zanat për të devijuar rrugën e Pullalisë megjithëse nuk përmbushet qëllimi kundërshtues (përkatësisht mbrojtës).
Ndërkaq, bashkëshortja e Saliut nuk jep ndonjë indikacion kundërshtues, andaj nuk mund ta marrim si të tillë.
Sa i përket adresarit, në modelin aktancial me subjekt Saliun, ai ndërlidhet me fatin tragjik, sepse fati përmbushet ashtu si paracaktohet dhe gjithashtu adresari ka të bëjë edhe me dasmorët, të cilët përfitojnë nga objekti i Saliut e që është këndimi.
Modeli i dytë aktancial me subjekt nënën e Sali Sylës mund të paraqitet si vijon: ajo që e shtyn vazhdimisht nënën që ta këshillojë të birin për evitimin e dasmës është frika e humbjes së
tij, duke iu referuar së kaluarës, sepse një fat të njëjtë kishte pasur vjehrri i saj ose gjyshi i Saliut, meqë edhe ky i fundit me zërin mbresëlënës habiste të pranishmit. Andaj pikërisht kjo frikë mund të merret si adresanti i këtij modeli aktancial. Objekti i nënës padyshim është Sali Syla dhe evitimi i dasmës. Ndihmës konsiderohen zanat. Kundërshtari lidhet me vullnetin e Saliut për të shkuar atje, vullneti i së cilit jepet qysh në fillim në dialog mu me nënën e tij: Sali deli djali, u çue me ferk t’sabahut e po i thotë t’amës: – E kam sosë me shkue! [1] (E kishte fjalën për në dasmë). Ndërkaq, adresari këtu ka të bëjë me shpëtimin e Saliut nga fatkeqësia.
Modeli i tretë akancial me subjekt babain e Sali Sylës ka ngjashmëri me modelin paraprak me pak ndryshime. Ndonëse babai nuk është personazh prezent në kohën reale, sugjerimet e tij janë të ngulitura në memorien e subjektit dominant, pra Saliut. Adresanti këtu ka të bëjë me përvojën tragjike të babait, përkatësisht gjyshit të Saliut. Objekti i babait është, njësoj, Sali Syla dhe evitimi i këndimit të tij në fise të huaja. Ndihmës mund të merren nëna dhe zanat. Ndërkaq, si kundërshtarë janë ora, vullneti i djalit për këndim, por edhe vetë këshilla e subjektit (babait) kur Saliut i kishte thënë që mos të këndojë nëpër dasma pa pasur një pasardhës. Adresari, njësoj si te modeli aktancial me subjekt nënën, edhe këtu lidhet me shpëtimin e Saliut nga fatkeqësia evidente.
Modeli i katërt aktancial me subjekt dasmorët (si bashkësi ose grup njerëzish) modelohet si vijon: Adresanti ka të bëjë me kërshërinë për të dëgjuar Saliun teksa këndon. Objekti i dasmorëve në raport me Saliun është zëri i këtij të fundit. Ndihmës i këtij objekti janë vullneti i Saliut për këndim, ora, cytjet e vazhdueshme nga dasmorët etj. Si kundërshtarë mund të merren nëna, babai, zanat. Adresari këtu mund të lidhet me argëtimin, dëfrimin masiv.
Modeli i pestë aktancial me subjekt syulleshkën ka një rëndësi të veçantë, sepse si shkas i këtij subjekti, manifestohet fundi tragjik i Sali Sylës. Modeli aktancial i këtij subjekti nuk është lehtë i identifikueshëm, prandaj disa kategori mund të hamendësohen në përputhje me veprimet. Adresanti i gruas me sy të bukur, si dy kokrra ullini të lame në vaj, është fascinimi nga zëri magjepsës i Sali Sylës. Objekt është pikërisht Saliu, afërsia me të. Përmbushjen e këtij objektivi nuk e ndihmon asgjë, andaj kategoria e ndihmësit te ky model aktancial është e zbrazët. Kundërshtar tipik i saj del burri. Ndërkaq, adresari, hipotetikisht, ka të bëjë me kënaqësinë shpirtërore ose/dhe fizike.
Modeli i gjashtë aktancial me subjekt burrin e syulleshkës, po ashtu është me rëndësi, meqë veprimet e këtij subjekti i japin fund tregimit. Identifikimi i kategorive të këtij modeli aktancial, për dallim nga ai paraprak, nuk është i vështirë. Kësisoj kemi: Adresanti i burrit është xhelozia për gruan e vet, meqë kjo e fundit ia kishte vënë syrin shahirit. Në një mendësi shqiptare në përputhje me ligjet kanunore, një ngjarje e tillë padyshim që çon drejt një objektivi të paramenduar. Andaj, edhe në tekst kemi të bëjmë pikërisht me objektin e burrit që ndërlidhet me vrasjen e Saliut. Natyrisht, për ta arritur këtë qëllim, burrit si ndihmës i del arma, një mjet konkret. Por, edhe pas aktit, burri nuk mbetet pa ndëshkim, sepse kundërshtar i tij del Pullalia, i cili merr hak për pronarin duke e goditur burrin me shqelm për vdekje. Ndërkaq, sa i përket adresarit në modelin aktancial me subjekt burrin, është njësoj si te adresanti – pra xhelozia, por mund të jetë edhe ruajtja e nderit, temperamenti shqiptar e ngjashëm.
Modeli i shtatë aktancial me subjekt Pullalinë konsiderojmë që është model që qëndron ndaras modeleve të trajtuara më lart. Themi kështu sepse Pullalia është një kalë, me ç’rast nuk flet dhe nuk mund të ndikojë direkt në veprimet e Sali Sylës. Megjithatë prezenca dhe veprimet e Pullalisë kanë karakteristikat e veta, duke e mundësuar këtë lloj modeli: Adresanti ka të bëjë me rritjen dhe mbikëqyrjen e Pullalisë nga Saliu qysh nga lindja e tij, andaj edhe objekti i Pullalisë është përmbushja e kërkesave të pronarit. Për të realizuar këtë objektiv atij i ndihmon trupi, fuqia bartëse. Kundërshtar i gjithë kësaj del burri, megjithëse edhe ndaj tij Pullalia arrin që të hakmerret. Ndërkaq, si adresar mund të merret miqësia në mes Pullalisë dhe Sali Sylës, Sali Probatinit.
Nga e gjithë kjo, shohim se në të gjitha modelet aktanciale të shqyrtuara personazhi i Sali Sylës është gjithnjë prezent pavarësisht pozicionit, andaj siç e kemi theksuar edhe më lart konsiderojmë që pikërisht modeli aktancial me subjekt Saliun është dominues, sepse gjithçka rrëfehet rreth tij, zërit të tij. Po ashtu si rrjedhojë e kësaj analize mund të konstatojmë që tregimi ka të bëjë me pamundësinë e shmangies së fatit të paracaktuar. Kjo më së miri mund të ilustrohet me fjalinë hyrëse: Ai që ka zâ, s’ka udhë tjetër në këtë dynja veçse me e ndjekë zânin e vet[2] – fjali kjo që semantikisht mund të merret edhe kështu: Ai që ka një fat, s’ka udhë tjetër në këtë dynja veçse me e ndjekë caktimin e vet. Ky caktim pra duket se nuk është individual, por kolektiv, sepse nuk ndërlidhet vetëm me Saliun. Të njëjtin fat kishte pasur edhe gjyshi i tij dhe jo vetëm, sepse të njëjtën rrugë duket se do ta ndjekë edhe i biri i Saliut me një zë po ashtu tejet të këndshëm. Prandaj tregimi mbyllet: Kish vazhdue historia! I dekni me t’gjallin, i gjalli me t’deknin – i gjalli me t’gjallin! Shpia që kish nxjerrë zâ, s’mbet pa zâ![3]
Tregimi “Udha e zânit” rrëfehet nga veta e tretë, përkatësisht nga narratori i gjithëdijshëm. Rrëfimi shtrihet në një vijë kauzale, pra duke ndjekur parimin e shkak-pasojës. Kështu që, edhe koha narrative ka një shtrirje normale, pa kapërcime të theksuara në të kaluarën a në të ardhmen. Kapërcimet në të kaluarën janë të shkurtra dhe më shumë shfaqen si çështje empirike e paralajmëruese. Koha narrative është parë në relacion me personazhin kryesor, gjegjësisht veprimet e tij. Kemi theksuar gjithashtu se modeli real temporal në kuadër të tregimit mbetet i papërcaktuar; jepen vetëm disa indikacione, me ç’rast mund të hamendësohet për kohën reale në të cilën veprojnë personazhet.
Modeli hapësinor i tregimit, ndryshe nga ai temporal, mund të identifikohet më lehtësisht. Gjatë analizës kemi sekuencializuar hapësirat në të cilat ndodhet dhe/ose kalon personazhi kryesor dhe të tjerët. Fillimisht kemi toposin rural e ambientin familjar, pastaj janë disa lokacione reale, me emërtime e bazë faktografike, me ç’rast kemi të bëjmë me Vushtrrinë, Dukagjinin e kështu me radhë.
Padyshim që pjesën më të madhe të punimit ua kemi kushtuar aktantëve, andaj jemi munduar që t’i analizojmë subjektet kryesore që në njëfarë mënyre kontribuojnë në rrumbullakimin tematik. Secili subjekt i zgjedhur analizohet në bazë të kategorive bazike të modelit aktancial dhe në bazë të kësaj konstatohet për modelin aktancial dominues, rreth të cilit lidhet i gjithë narracioni. Të tillë e kemi konsideruar modelin aktancial me subjekt Saliun, për shkak se kemi parë që ky karakter dhe veprimet e tij janë nyjë për procesimin tematik dhe po ashtu për modelimin e modeleve të tjera aktanciale.
Për fund, vlen të theksohet që punimi nuk ka tendencë të një analize shteruese sa i përket modelit aktancial, sepse rreth tij në tregimin gjegjës mund të ketë interpretime të ndryshme që mund të jenë më të përafërta/sakta.
[1] Kujtim Rrahmani: Taksa e gjumit, CUNEUS, Prishtinë, 2016, fq. 163.
[2] Po aty, fq. 162.
[3] Po aty, fq. 161.
[4] Po aty, fq. 161.
[5]Po aty, fq. 169.