Klubi i futbollit Prishtina ka publikuar sot rezultatet e tetë futbollistëve që në Gjibraltar rezultuan pozitiv në Covid-19, e për pasojë nuk u zhvillua ndeshja me Lincoln Red Imps në kuadër të parakualifikimeve për Europa League.
Të tetë futbollistët në testet e kryera në IKSHPK sërish kanë rezultuar negativ, gjë e cila e bënë edhe më të paqartë gjendjen se si mund të ndodhë që në dy teste në IKSHPK këta futbollist dalin negativ, derisa në laboratorin e licencuar nga UEFA në Spanjë “Synlab” këta futbollistë kanë rezultuar pozitiv, teksa të gjithë janë pa simptoma të këtij virusi!
Ja njoftimi i plotë i FC Prishtina:
Dje skuadra ka ritestuar tetë futbollistët e dal pozitiv në Gjibraltar dhe sërish pas marrjes së mostrave nga IKSHPK, futbollistët kanë rezultuar negativ!
FC Prishtina ka dorëzuar tërë materialin e saj të provave me ndihmën edhe të avokatëve sportiv evropian.
Klubi është në pritje nga vendimi që do të marr Komisioni i Etikës dhe Disiplinës pranë UEFA-s.
Duhet theksuar se nuk është vetëm rasti i Prishtinës që po shqyrtohet, në situatë identike ndodhet edhe skuadra më e madhe sllovake, Slovan Bratislava pas dy herë anulimit të ndeshjes në Ishujt Faroe.
FC Prishtina vazhdon të besojë se çdo vendim i UEFA-s do të jetë i drejtë.