Rezerva Federale rriti normën bazë të interesit këtë javë, një lëvizje që pritej gjerësisht në tregje dhe që vë në dukje heqjen e politikave që janë përdorur për të luftuar krizën financiare.
Duke rritur normën bazë të interesit me 25 pikë bazë në një segment prej 1.75 -2%, Rezerva Federale hodhi poshtë premtimin se do të mbajë normat e interesit në nivel të ulët për të stimuluar ekonominë dhe sinjalizoi se do të tolerojë inflacionin që të kalojë nivelin objektiv të paktën deri në vitin 2020.
Politikëbërësit projektuan një ritëm më të shpejtë të tkurrjes monetare gjatë muajve në vijim, me 2 ndërhyrje të tjera për këtë vit, krahasuar me vetëm 1 që pritej më parë.
Ata presin 3 rritje të tjera në vitin që vjen, një ritëm i pandryshuar nga projeksionet fillestare, dhe që do ta çonte normën bazë në rreth 3%.
“Rritja ekonomike ka rifituar vrull në tremujorin aktual, duke reflektuar gjerësisht fuqizimin e shpenzimeve konsumatore. Investimet e bizneseve vazhdojnë të rriten fortë dhe perspektiva e përgjithshme ekonomike është favorizuese”, tha kryetari i sistemit bankar qendror në SHBA, Jerome Powell, pas takimit dy-ditor të muajit qershor.
Interesat e borxhit amerikan u rritën pas deklaratës, ndërsa titujt e kapitalit ranë lehtë. Rezerva Federale i përshkroi përsëri politikat monetare si lehtësuese dhe shtoi se rritja ekonomike për 10 vite radhazi garanton vazhdimin e tkurrjes monetare.
Vlerësimet për normat afat-gjatë të interesit mbetën të pandryshuara dhe priten në 3.4% deri në vitin 2020, përpara se të normalizohen në 2.9% në afat-gjatë.
Fed pret tashmë që Produkti i Brendshëm Bruto të rritet me 2.8% këtë vit dhe me 2.4% në vitin e ardhshëm.