Nuk kam parë asnjë foto apo fotografi të fëmijëve të mi të tjerë për 4 vjet. Mendoni për gjendjen shpirtërore të një nëne të cilës i janë marrë nga duart 5 fëmijë”, tha nëna e fëmijëve, Amal Shejho.
Babai sirian, Diab Talal, 5 fëmijët e të cilit u morën nga institucioni i shërbimeve sociale në Suedi, tha se nuk kishte mbetur vend ku nuk kishte aplikuar për t’i kthyer fëmijët e tij dhe tha se kërkon ndihmë nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Siriani Diab Talal dhe bashkëshortja e tij Amal Shejho, të cilët prej 5 vitesh jetojnë në Suedi dhanë deklaratë për AA në lidhje me procesin e marrjes së fëmijëve prej tyre.
Duke deklaruar se ai filloi të banojë në rajonin në veri të Suedisë në Norrbotten në vitin 2017 për shkak të programit të OKB-së për rivendosjen e refugjatëve, babai Talal tha se 4 fëmijët e tij iu morën në vitet e para të mbërritjes së tij në vend ndërsa fëmija i pestë iu mor në vitin 2021, menjëherë pasi lindi gruaja e tij.
Ai tha se ka vuajtur shumë për shumë vite nga malli për fëmijët e tij. “Nuk ka vend ku nuk jemi drejtuar. Ka mbetur vetëm një Zot. Ka mbetur Erdoğani që mund të na ndihmojë. Unë i bëj thirrje Turqisë. Unë i bëj thirrje Erdoğanit, i bëj thirrje gjithë botës. Ne duam fëmijët tanë”, tha Talal.
Sipas tij, më i vogli nga fëmijët është 8 muajsh ndërsa më i madhi 9-vjeç. “Ne erdhëm në Suedi përmes një rruge stresuese dhe lufte. Ne ishim në depresion kur mbërritëm për herë të parë. Na morën 4 fëmijët me ankesën e fqiut. Edhe pse hetimet që pasuan nuk gjetën asnjë provë se ne ushtruam dhunë ndaj fëmijëve, ata nuk na i kthyen fëmijët. Fëmijët ua dhanë familjeve të ndryshme dhe ua ndaluan të kontaktonin me ne”, tha babai Talal.
“Duke shfrytëzuar të drejtën tonë më të natyrshme, ne iu bashkuam demonstratave për të protestuar kundër kësaj situate dhe kjo bëri shumë bujë. Teksa derdhnim lot për fëmijët tanë gjatë protestave, ne u vumë në shënjestër të mediave suedeze duke u etiketuar si ‘islamistë dhe terroristë'”, thotë ai.
Nëna Amal Shejho thotë se nuk i kishte parë fëmijët e saj 4 vjet. “Më morën fëmijën kur isha në spital pesë minuta pasi e linda. Nuk kam parë asnjë foto apo fotografi të fëmijëve të mi të tjerë për 4 vjet. Mendoni për gjendjen shpirtërore të një nëne të cilës i janë marrë nga duart 5 fëmijë”.
Agjencia e Shërbimeve Sociale e Komunës Norrbotten në Suedi tha se “Fëmijët u morën nga familja duke ndjekur procedurën normale për shkak se ishin të ekspozuar ndaj dhunës”.
Në deklaratën nga Ambasada e Suedisë në Ankara u hodhën poshtë pretendimet se Shërbimet Sociale keqtrajtonin fëmijët muslimanë.
“Një fushatë shumë agresive shpifjeje është duke u zhvilluar në kanale të ndryshme të mediave sociale, si në Suedi ashtu edhe jashtë saj, duke pretenduar se shërbimet sociale suedeze rrëmbejnë, burgosin dhe abuzojnë seksualisht fëmijët muslimanë. Ky informacion është natyrisht mashtrues. Qëllimi i tij i vetëm është të krijojë tension dhe të përhapë mosbesim”, thuhet në deklaratën e ambasadës suedeze ne Ankara.
Në deklaratën e ambasadës, gjithashtu thuhet se “Shërbimet Sociale Suedeze drejtohen kryesisht nga Ligji i Shërbimeve Sociale bazuar në parimin vullnetar ndërsa dispozitat plotësuese në ligjin për kujdesin ndaj të rinjve në raste të caktuara bëjnë të mundur vendosjen e masave pa pëlqim”./AA/FolDrejt/