Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre persona në Ferizaj nën akuzën për vjedhje të rëndë, raporton Fol Drejt.
“Mbrëmë, rreth orës 20:20 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në rrugën “Brahim Ademi ” në Ferizaj, në shkollën e mjekësisë e cila është në ndërtim, ishte duke u kryer një rast i vjedhjes në proces.
Në lidhje me këtë policët e rendit e më pas edhe policët hetues të stacionit në Ferizaj i kanë marrë veprimet e menjëhershme dhe janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes dhe në flagrancë kanë kapur tre persona të dyshuar të cilët ishin duke vjedhur kabllo të instalimit elektrik të objektit”, shkruan në komunikatën e policisë në Facebook.
Policia tha se të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj, përkatësisht në Njësinë e Hetimeve dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, të dyshuarit: F.K. (M/K) 29 vjeçar, E.P. (M/K) 21 vjeçar dhe M.A. (M/K) 20 vjeçar dërgohen në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti është cilësuar si “Vjedhje e rëndë”. Vlera e dëmit sipas ankuesit llogaritet të jetë njëzetëmijë (20.000) euro. /FolDrejt/