Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) do t’i paguajë Barcelonës rreth pesë milionë euro për shkak të lëndimit të lojtarit të klubit katalanas Gavi gjatë ndeshjes mes Spanjës dhe Gjeorgjisë, raportojnë mediat spanjolle.
Gavi ka pësuar lëndim të rëndë në gju mbrëmë në ndeshjen e xhiros së fundit të kualifikimeve të grupit A për Kampionatin Evropian 2024 mes Spanjës dhe Gjeorgjisë (3:1). Lojtari i Barcelonës ka këputur ligamentet e përparme të kryqëzuara të gjurit të djathtë, për të cilin do t’i nënshtrohet një operacioni në ditët në vijim.
Ai do të marrë një pushim nga shtatë deri në nëntë muaj, si dhe pritet të mungojë në Kampionatin Evropian, i cili do të mbahet në Gjermani vitin e ardhshëm.