200 shqiptarë në burgjet e Anglisë dhe Uellsit, që vuajnë dënime 4 vite burg ose më shumë, do të kthehen në dy vitet e ardhshme në Shqipëri për të kryer pjesën e mbetur të dënimit në burgjet shqiptare.
Kjo konfimohet nga ministria shqiptare e drejtësisë, që njofton se Shqipëria do të fillojë zbatimin e marrëveshjes me Britaninë e Madhe për transferimin e të burgosurve drejt shtetit shqiptar.
Marrëveshja është nënshkruar nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministri britanik Rishi Sunak në dhjetor të vitit të shkuar, pasi të dy diskutuan edhe për çështjen e emigracionit dhe kërkesave për azil në Britaninë e Madhe.
Sipas njoftimit zyrtar të ministrisë shqiptare të drejtësisë, Britania do të paguajë kostot e strehimit të të burgosurve gjatë gjithë kohëzgjatjes së dënimit të tyre në shtetin shqiptar dhe Shqipëria do të mund të rrisë investimet për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve në sistemin e burgjeve.
“Ndërkohë që u japim mundësinë të dënuarve shqiptarë në Britaninë e Madhe, të shlyejnë pjesën e mbetur të dënimit pranë familjeve të tyre, Shqipëria do të mund të fuqizojë edhe më tej kapacitetet e sistemit penitenciar”-thuhet në njoftimin e ministrisë shqiptare të drejtësisë. /abcnews.al/