Kjo është fjala e plotë e kryeministrit në lansimin e Platformës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë:
“Punësim dhe drejtësi është titulli i zotimit dhe i programit tonë.
Qeveria jonë në vazhdimësi ka hartuar e përkrahur politika të cilët synojnë nxitjen e punësimit dhe qasje më të lehtë në tregun e punës dhe këtë ta bëjmë për të gjithë, pa dallim. Kjo ka të bëjë edhe me drejtësi – sepse nevojitet drejtësi në qasje e trajtim në shoqëri, përveç se në salla gjyqi e në reformën e sistemit të drejtësisë.
Vitin e kaluar, kemi zbatuar skema të cilët kanë pasur synim punësimin e grupeve të ndryshme shoqërore: gratë, personat me aftësi të kufizuara, e me familjet të cilat nuk kanë asnjë anëtar të punësuar.
Përmes masës 1.3 u punësuan afër 5000 gra e vajza. Përmes masës 1.6 u punësuan 239 persona me aftësi të kufizuara. Ndërkaq përmes skemës “Qeveria për Familjet”, 770 familje u bënë me një anëtar të punësuar.
Nga sot, po fillojmë pilotimin e Skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë. Nëpërmjet saj, Qeveria do të subvencionojë 264 Euro pra në lartësinë e pagës minimale që ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe atë për për 6 muajt e parë të punësimit.
Lansimi i platformës “superpuna” angazhim i kamotshëm i ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve është njëkohësisht edhe dhe konkretizim i përkushtimit të Qeverisë në rritjen e punësimit të të rinjve dhe mbështetjen e punëdhënësve tanë si dhe e shënon përmbushjen edhe të një tjetër premtimi për qytetarët e Republikës.
Duke u ofruar të rinjve mundësinë për të fituar përvojë të vlefshme pune dhe për të zhvilluar aftësitë e tyre, ne po ndërtojmë një fuqi punëtore të aftë, e cila do ta rrisë ekonominë e vendit.
Ndërkohë, po vazhdojmë mbështetjen ndaj sektorit privat në angazhimin e fuqisë së re punëtore, e cila ka të gjithë potencialin që të bëhet motor i zhvillimit të këtij sektori.
Rininë e kemi aset të së tashmes. E kemi edhe potencial të së ardhmes. Kujdesi, vëmendja dhe investimi ynë në ta sot, është angazhimi, kontributi dhe investimi i tyre në vendin tonë nesër.
Më lejoni që të falënderoj të gjitha ata të cilët kanë kontribuar dhe ndihmuar në finalizimin e kësaj ndërmarrjeje, veçanërisht ambasadën e zvicerane në Kosovë.
Për detajet e skemës do të flasë ministri Murati, por fillimisht më lejoni që t’ia kaloj fjalën, z. Favre nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim”, ka thënë kryeministri Kurti, transmeton Fol Drejt.