Kancelarja gjermane Angela Merkel (64, CDU) është tërhequr nga kandidimi për shefe e CDU dhe nuk do marrë asnjë post politik pas mbarimit të mandatit në 2021. Kjo erdhi pas rezultatit të dobët në landin gjerman Hessen (minus 11.3 përqind në krahasim me zgjedhjet parapake).
“Është koha të hapet një kapitull i ri,” tha Merkel në fjalimin e saj historik të tërheqjes në Berlin. “Unë e kam thënë njëherë: unë nuk kam lindur si kancelare dhe këtë nuk e kam harruar.”
Merkel ka qenë shefe e CDU prej 18 vitesh, kur zëvendësoi në këtë pozitë presidentin e parlamentit gjerman Wolfgang Schäuble (76), shkruan foldrejt.com.
Para disa javësh koalicioni CDU/CSU humbi bindshëm mbështetje edhe në zgjedhjet e Bajernit. Në Gjermani trend rritjeje kanë dy parti antagoniste: Të Gjelbërit liberalë dhe popullistët e ekstremit të djathtë AfD.
“Si kancelare dhe si kryetare e CDU-së unë mbaj përgjegjësi të plotë për sukseset dhe për dështimet. Rezultati i zgjedhjeve ne Hessen ishte i hidhur dhe zhgënjyes; dega e partisë atje duhet të kishte dalë më mirë”, u shpreh ajo.
Me tërheqjen e Merkelit, fitohet një shansë e re.
“Mandati im i katërt është i fundit”
Përveç që ka qenë shefe e partisë prej 18 vitesh, Merkel ka udhëhequr me Gjermaninë prej 13 vitesh. “Për të përmbushur një detyrë është një nder i përditshëm dhe sfidë. Mandati im i katërt është i fundit si kancelare e Gjermanisë,” tha qartë Merkel, shkruan foldrejt.com.
Për të mbetur besnike e një procesi pa ndikim në partinë e saj, Merkel nuk dha emër se cilin do mbështeste në krye të CDU gjatë dhjetorit – ku kandidojnë Jens Spahn dhe një ish kritik i saj Friedrich Merz.
Tërheqjen nga postet politike të Merkelit e kanë përshëndetur një pjesë e madhe e partive gjermane – kundërshtarë ose aleatë të saj – por lindën pyetje se pse të shqiptarët nuk ekziston kultura e dorëheqjes pas humbjeve zgjedhore, por vetëm gjatë shantazheve?