U anulua një festival dhe pastaj një tjetër, ndodhi çka ndodhë zakonisht, i madh e i vogël po merremi me të.
Shkruan: Fjolla Hajrizaj
Një xhami e re po ndërtohet, ndodhi si ndodhi dhe u fragmentuam si gjthnjë. Disa i gëzohen objektit ku do të kryejnë adhurimet e tyre dhe të tjerët në vend të saj deshën ndonjë fabrikë se niveli i papunësisë është i lartë.
Të rejat e fundit këto, por në thelb asgjë e re. E reja më e fundit është se gati është anuluar edhe jeta jonë në Kosovë që qysh nga gjeneza nuk ishte kushedi se çfarë, thjesht përshtatje, sakrificë dhe shpresë se do të jetësohet thënia që na ka përcjellë gjithmonë “hajt se bëhet mirë”. Pra, shpresë së bëhet mirë për shumicën dhe lule dritë për pakicën që jeta i favorizoi dhe jetojnë në Kosovë, por sikur s’jetojnë në Kosovë.
Shoh marketin para meje, e di që më duhet ta vizitoj dhe e di që për nja tri gjëra që pa to s’mundem të funksionoj do të më duhet të paguaj më shumë sesa paguhet dita ime në punë. Mirë shumë, ndodhë dhe kështu.
Fëmijët e lagjës luajnë dhe unë me vete mendoj sikur ta dinin edhe ata që jeta në Kosovë gati sa nuk është anuluar, nuk po përballohet, i madh e i vogël kërkojnë derën e ikjes dhe nuk kanë faj. Nuk do të duhej t’iu thuhej se s’kanë duruar, duruan mjaft, duruam mjaft dhe uroj ta gjejnë më mirë kudo që shkuan prej zorit.
Të lexuarit më ngushëllonte dikur, besa edhe të shkruarit, ndërsa sot rrallë e më rrallë po shkruaj e po lexoj se po më duhet të jetoj sot për nesër. Anipse pjesën më të madhe të jetës, rinisë sime e kapitalit e kam dhënë në bankat e shkollës, në punë, në familje, në shoqëri sot asgjë nuk më mjafton të më bindë se jeta këtu gati sa nuk është anuluar dhe shpresa që vdes e fundit pak e hiç jeton mes nesh.
Më thonë pesimiste, gjithmonë më kanë thënë, duke ngatërruar të vërtetën që unë e them troç për hir të idealit dhe ëndrrave që I kam parë për jetën që do të doja ta jetoj në këtë vend.
Unë dhe shumë si puna ime veç 20 e ca vjeç nga t’ia mbajnë nuk e dinë, pleqëria vjen e zorshme ku në vend të respektit ju japin të moshuarve pensione që s’iu dalin, mosha e mesme kanë hequr dorë nga vetja me barrë të rëndë mbi supe e shpresë se të rinjtë do t’ia dalin, një pjesë e madhe e adoleshentëve nuk është se jetojnë dhe aq në realitet,, keqardhje dhe për fëmijët që s’kanë pse rriten këtu. Kjo është harta e Kosovës në realitet.
Në shkolla çdo ditë e më pak mësohet dhe ndonjëherë ngjan sikur ajo po e humb rolin e saj si institucion.
Në spital mos të raftë puna për të shku se do e urresh veten, jetën dhe fatin tënd.
Si ngahera, kafenetë plot larë në tym, ndonjë rreze dielli i përshkon dhe mot i ndryshueshëm si disponimi i njerëzve pa ngushëllim. Mund të kesh qejf, por pastaj nuk mundesh të pish dy kafe në ditë se të del bilanci negativ, vijnë faturat dhe taksa e një jetë fort të shtrenjtë në një shtet të varfër që dot nuk u këndell para e as pas luftës. Veçse dikur ëndrrat na lidheshin me lirinë e sot në liri e shtyjmë nga një ditë në tjetrën, pa ëndrra. Faji gjithmonë si top ping pongu gjuhet këndej e andej dhe njerëzit e lodhur që nuk e di a e dinë sa të lodhur janë nga të jetuarit kështu, përlahen për politikë, sikur t’i shërbente ajo atyre, jo ata asaj.
Nga komplekset shoqëria jonë nuk është shëruar se nuk bën pa u marë me jetën e tjetrit, pa bërë pyetjet dhe gjykimet e famshme për filanin e filanen, sidomos për gratë: i lidhi a i zgjidhi flokët e para e shtetit, pse s’u martua akoma njëra në të 30-tat, çka veshi reja e dy këngëtarëve dhe kush s’u ftua në atë fejesë, a u bashkuan a u ndanë një aktor me një moderatore, pse filan stilisti paska trajtim “gold” ngado që shkon. Këto po që janë brenga, kjo gjë po që sjell emancipim, mos mbetshim në akademik, “rrnoftë” e “qoftë” Tik Toku dhe show bizi, “rrnoftë” budallallëku që na mundësoi edhe njëherë ta njohim veten si shoqëri dhe të shohim si në pasqyrë pse jemi ku jemi sot.
Në sytë e mi, jeta në Kosovë gati sa nuk është anuluar, pritet infuzioni i Diasporës për dy muaj që edhe pak ta shtyjmë, ndonjë dasmë e dikujt për t’u kompleksuar si dukemi e çka do thonë për ne dhe argëtuar pak me tingujt e tallavasë… disa foto nga pushimit “living the best life” dhe anulimi i ndonjë festivali të radhës për të bërë ne zhurmë për të e për të heshtur për gjërat më të rëndësishme që ndërlidhen me mirëqenien tonë.
Kur të ikë euforia dhe buzëqeshjet të shuhen para ndonjë arke a bankomati, ju lutem të kujtoni se jeta në Kosovë gati sa nuk është anuluar dhe meqë po jetojmë kështu pa shpresë dhe ëndrra, ndoshta ja dalim dhe pa festivale.
Që thoshte një profesor i imi i mirë: ju bëni çka të doni veç mos thoni që s’ua kam thënë!/FolDrejt/