Ligji për Qeverisje Lokale (Fleta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë numër 5, viti 2002) neni 54 sqaron përimtësisht se çfarë ndodh në rast se ndonjë kryetar komune i Maqedonisë dorëhiqet nga posti zyrtar ose ndërron jetë.
Zëvendësi i kryetarit (në rastin e Dibrës: z. Hekuran Duka) lajmëron brenda 15 ditëve Ministrinë e Pushtetit Lokal për vdekjen e një kryetari. Ministria përkatëse për afat prej 15 ditësh, nga kur është pranuar lajmërimi i Komunës, lajmëron qeverinë e Republikës së Maqedonisë.
Qeveria e RM në afat prej 30 ditësh konstaton se ka ndodhur rasti dhe njëkohësisht inicon procedurë për zgjedhje të reja të kryetarit.
Në momentin kur qeveria mer vendimin, Këshilli Komunal (në këtë rast i Dibrës), në afat prej 30 ditësh nga dita e shpalljes së qeverisë do të bëjë zgjedhjen e një anëtari të Këshillit, që do ta kryejë detyrën e kryetarit deri në përzgjedhjen e kryetarit të ri përmes votimeve. Në rastin e Dibrës mund të mbesë Hekuran Duka ose ndonjë anëtar tjetër.
Pra brenda maksimum tre muajsh do ketë një kryetar që do zgjidhet përmes Këshillit të Komunës, kurse menjëherë pas saj, KSHZ në çdo moment mund të jap datë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale.
Kjo procedurë e lartëpërmendur, nuk vlen, vetëm në rast se zgjedhjet e përgjithshme komunale në Maqedoni, mbahen brenda gjashtë muajsh prej kohës kur një kryetar është dorëhequr ose ka vdekur.
Pra sipas ligjit të Republikës së Maqedonisë, në rast se nuk shtyhen vendimet, zgjedhjet e reja priten të mbahen brenda pak muajsh./Foldrejt.com