Forcat izraelite gjatë vitit 2018 kanë arrestuar 6.489 palestinezë në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, bëri të ditur Komisioni për të burgosur dhe ish-të burgosur të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), transmeton Anadolu Agency (AA).
Në mesin e të arrestuarve në vitin 2018 gjenden 1.063 të mitur dhe 140 gra, theksohet në njoftimin e komisionit të publikuar të shtunën. Më tej thuhet se forcat izraelite gjatë vitit 2018 arrestuan gjashtë deputetë palestinezë dhe 38 gazetarë.
Sipas informacioneve të komisionit të PLO-së, autoritetet izraelite në vitin 2018 kanë lëshuar 988 urdhëra për paraburgim administrativ.
Komisioni thekson se në paraburgim nëpër burgjet izraelite edhe më tej qëndrojnë rreth 6.000 palestinezë.
Vlerësimet flasin se pjesa më e madhe e palestinezëve këtë vit është arrestuar në Bregun Perëndimor, ndërsa vetëm pesë për qind nga Rripi i Gazës.
Forcat izraelite shpesh kryejnë fushata të gjera të arrestimit në mbarë Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, të cilat Izraeli i mban nën pushtim.