Shkencëtari kinez, i cili pretendon të jetë i pari në botë që ka redaktuar kodin gjenetik të një çifti fëmijësh binjakë të lindur kohët e fundit, për t’i bërë ato rezistente ndaj virusit HIV, ka mbrojtur punën e tij dhe thotë se do të bëjë të njëjtën gjë për një shtatzani tjetër të mundshme.
Por siguria që ai ka dhënë që eksperimenti do të analizohet nga një revistë shkencore, nuk i ka zbutur shqetësimet në rritje. Studimi i He Jiankuit, që u bë publik befasisht pak përpara një takimi ndërkombëtar mbi ndryshimin e gjeneve në Hong Kong, ka nxitur një sërë pyetjesh në lidhje me sigurinë dhe etikën e eksperimentit, si dhe financimin e tij.
Një grup prej më shumë se 120 shkencëtarësh kinezë, të cilët ngritën zërin kundër tij gjatë javës, është rritur. Në një deklaratë të lëshuar të enjten, e cila tani është nënshkruar nga më shumë se 300 shkencëtarë si në Kinë dhe jashtë saj, kërkohen përgjigje ndaj 10 pyetjeve kyçe, duke përfshirë atë që është çështja vërtetë e eksperimentit? Nga vijnë financimet dhe kush do të garantojë të drejtat e dy vajzave – të njohura si Lulu dhe Nana – për t’u kujdesur?
“Ne jo vetëm që duhet të pyesim a ishte eksperimenti i realizuar me të vërtetë për të ndihmuar çiftet e përfshira? Apo thjesht u përdorën si minj laboratori për të përmbushur ambicien personale të He Jiankuit, ose interesat potencialisht të mëdha të këtij lloj biznesi?”, shtron pyetje deklarata.
Gjatë një sesioni të pyetje-përgjigje në Hong Kong të mërkurën në takimin e Dytë Ndërkombëtar mbi Redaktimin e Gjenomit Njerëzor, He Jiankui tha se interesat e familjeve dhe foshnjave ishin shqetësimi i tij kryesor.
Ai tha gjithashtu se kërkimi ishte kryesisht i vetëfinancuar, një kërkesë që shkencëtarët e tjerë kinezë e gjejnë të vështirë ta besojnë.
“Të gjithë shpenzimet e kujdesit mjekësor të pacientëve u paguan nga unë dhe një sasi e vogël e kostos së sekuencave të gjeneve u mbulua nga personeli në Universitetin Jugor për Shkencë dhe Teknologji”, tha ai.
Ky Universitet tha se zoti He është larguar nga posti i tij që prej muajit shkurt.
Në deklaratën e tyre, shkencëtarët vlerësuan se një eksperiment i tillë me kostot e stafit dhe të fekondimit në epruvetë, si dhe eksperimentet paraprake me majmunë, duhet të kenë kushtuar miliona dollarë.
Shkencëtarët shprehën gjithashtu shqetësimin se ky kërkim nuk do të vendoste vetëm një përparësi të rrezikshme, por është kundër ligjit kinez dhe një konsensusi ndërkombëtar lidhur me redaktimin e gjeneve.
“Ne kërkojmë që këto pyetje të marrin një hetim të shpejtë, rigoroz gjithëpërfshirës dhe me përgjigje”, thuhet në deklaratë. “Nëse kalon pa ndëshkim, ky rast do të dërgojë mesazhin e gabuar se kushdo me ambicie dhe fonde, ashtu si zoti He, mund të kryejë eksperimente të tilla të errëta”.
Pjesëmarrësit në Takimin mbi Redaktimin e Gjeneve Njerëzore në Hong Kong lëshuan një deklaratë të fortë të enjten, duke e quajtur eksperimentin e kolegut të tyre, “thellësisht shqetësues” dhe “të papërgjegjshëm”.
Komisioni organizues i takimit tha: “Edhe nëse modifikimet janë verifikuar, procedura ishte e papërgjegjshme dhe nuk pajtohet me normat ndërkombëtare”.
Në komentet të mërkurën, biologu David Baltimore, fitues i çmimit Nobel gjithashtu ndau shqetësimin e tij. Zoti Baltimore është kryetari i konferencës.
“Mendoj se eksperimenti i zotit He nuk ka qenë një proces transparent, ne e zbuluam këtë vetëm pasi ndodhi dhe pas lindjes së fëmijëve,” tha ai, duke folur përpara sesionit të pyetje-përgjigjeve për zoti He. “Unë mendoj se ka pasur një dështim të kontrollit dhe disiplinës nga ana e komunitetit shkencor për shkak të mungesës së transparencës”.
Pyetja e madhe që vjen më pas është se si autoritetet kineze do të merren me këtë incident dhe me zotit He. Komisioni Kombëtar Shëndetësor i Kinës dhe Ministria e Shkencës dhe e Teknologjisë e kanë bërë të qartë se dënimi do të jetë në përputhje me ligjin.
Avokatët në Kinë, megjithatë, kanë filluar të vënë në dukje mangësitë ligjore që ekzistojnë dhe mund të pengojnë përpjekjet për të ndërmarrë veprime ligjore. Në një blog në internet, avokati me bazë në Guangzhou, Zhou Xiaoyun vuri në dukje se ndërsa ka rregulla administrative për modifikimet e gjeneve, klauzola të tilla nuk mund të gjendeshin në ligjin penal.
Avokati Zhou sugjeron se në këtë rast, një hetim në nivel kombëtar duhet të ndërmerret për të gjithë ata që janë përfshirë.
“Një ligj penal duhet të vendoset shpejt për të ndaluar eksperimentimin për redaktimin e gjeneve të njeriut. Sidoqoftë, duke qenë se kutia e Pandorës tashmë është hapur, masa të tilla për të korrigjuar problemin do të vonojnë paksa ndikimin e ligjit”, tha ai.
Deri më tani, Komisioni Shëndetësor i Provincës Guangdong dhe qytetit Shenzhen, si dhe Universiteti Jugor i Shkencës dhe Teknologjisë, ku zoti He është profesor asistent, kanë ngritur një hetim rreth këtij rasti.
Sipas të dhënave klinike, zotit He ka mare një vështrim etik për hulumtimet e tij nga një spital në Shenzhen, por kjo strukturë mohon të jetë mbledhur ndonjëherë në takim për të diskutuar punën e tij.
Chen Hsin-fu, një gjinekolog në Spitalin Universitar Kombëtar të Tajvanit në Taipei, tha se ndërsa është e vështirë të thuhet se si autoritetet në Kinë do të trajtojnë në fund çështjen, ai pret që disa masa dënimi të jepen.
“Është e qartë se rasti ka ekspozuar të dyja mangësitë morale dhe shkencore, dhe nëse pretendimet e tij janë të vërteta, kujdesi afatgjatë i këtyre dy foshnjave do të jetë një shqetësim dhe problem i madh, sepse mund të dalin disa probleme të papritura”, tha Dr. Chen./zeriamerikes.com