Ndërsa viti shkollor është në prag të përfundimit, institucionet parauniversitare nga e gjithë Kosova janë bërë gati për ta përmbyllur me rezultate sa më të mira për nxënësit.
Për maturantët, ndërkaq, është dashur të përgatiten edhe dëftesat me nota, si dëshmi për suksesin e korrur gjatë vitit të fundit shkollor, shkruan Fol Drejt.
Siç dihet, në pajtim me Ligjin për Arsimin Parauniversitar (04/L-032), secila shkollë ka të drejtë ta menaxhojë një shumë të limituar të buxhetit, për mbarëvajtjen e mësimit në këto institucione. Megjithatë, në Kosovë, për shumë çështje, prindërit e nxënësve, detyrohen të kontribuojnë nga xhepat e tyre, për t’i ndihmuar shkollat rreth aktiviteteve të cilat i zhvillojnë.
Sipas burimeve të Fol Drejt, një shkollë në Komunën e Vushtrrisë i ka detyruar nxënësit që t’i paguajnë diplomat me nga 3 euro, megjithëse vlera e tyre në treg, nuk e kalon shumën prej 20 centësh.
Më saktësisht bëhet fjalë për Gjimnazin “Eçrem Çabei” nga Vushtrria.
“Kjo nuk është hera e parë!” i ka thënë burimi gazetares së Fol Drejt.
Fol Drejt ka bërë përpjekje për ta kontaktuar Drejtorinë Komunale të Arsimit në Vushtrri, për të kuptuar nëse janë në dijeni të këtij rasti, mirëpo as pas disa ditësh, ata nuk kanë gjetur kohë për përgjigje.
Ndërkohë, gazetarja e Fol Drejt ka gjetur diploma të cilat shfrytëzohen nga këto shkolla, për këtë nivel shkollor, të cilat nuk kushtojnë më shumë se 20 cent./FolDrejt/