Policia ka arrestuar dy persona, nën dyshimin për përfshirje në një grabitje të armatosur që kishte ndodhur në nëntor të vitit 2021, në fshatin Parallovë, në rrugën Gjilan-Prishtinë.
Siç njofton policia, arrestimi i të dyshuarve nga ana e hetuesve policorë rajonal është bërë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit dhe me urdhëresë të gjykatës janë kontrolluar lokacione të ndryshme në komunën e Prishtinës dhe Fushë Kosovës me këtë rast është arritur të sigurohen prova se të njëjtit me datën 18.11.2021 në bashkëveprim edhe me katër të dyshuar të tjerë të arrestuar më herët kanë qenë të përfshirë në një grabitje të armatosur e ndodhur në fshatin Parallovë në rrugën Gjilan-Prishtinë.
Të dyshuarit, duke përdorur armë zjarri të llojit AK/47, kishin shtënë në drejtim të një kombi të një kompanie për transportimin e parave të një banke, duke arritur të grabisin një shumë të konsiderueshme parash.
Gjatë kontrollit në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të dy të dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar si provë materiale për gjykatën: një (1) pistoletë e llojit TT, dy (2) karikatorë të armës së njëjtë, trembëdhjetë (13) copë fishekë të kalibrit 7.62 mm, para në vlerë 2600 euro, dy (2) karikatorë të zbrazët të armës AK/47, një (1) kondak i armës AK/47, trembëdhjetë (13) copë fishekë të armës AK/47 si dhe gjatë (6) copë gëzhoja të kalibrit 7.62 mm. të pushkës automatike.
Pas arrestimit të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.
Nga Prokurori i shtetit ndaj të dyshuarve është lëshuar masa e ndalimit për 48 orë./FolDrejt/