Reshjet e shiut kanë shkaktuar fryrje të lumenjve dhe vërshime në shumë vende të Ballkanit Perëndimor, shkruan Fol Drejt.
Mediat nga Beogradi raportojnë për situatë dramatike në disa zona në Serbi, ndërsa flitet edhe për të zhdukur.
Gjatë natës kanë vazhduar kërkimet për dy persona të zhdukur në Novi Pazar. Sipas “Danas” atje janë angazhuar edhe zhytës për t’i kërkuar trupat përgjatë lumit Tërnavica.
Ata ranë në lumë ndërsa përpiqeshin të vendosnin thasë me rërë për të mos lejuar që uji të arrinte në shtëpitë e tyre
Edhe lumi Ibër ka vërshuar zonën, duke u futur në fabrikën “Ekofarm”.
“Uji ka hyrë në pjesën e kompresorit të magazinës, por edhe niveli i ujit po rritet”, është deklaruar Bojan Baltiq, pronar i fabrikës.
Dejan Seiziviq, shef i Departamentit për Situata Emergjente të Qarkut Administrativ të Rashkës, tha se thasë me rërë janë vendosur sonte në atë pjesë të bregut të lumit, në Bërryl afër Bogutovcit dhe në Rashkë.
Për shkak të rritjes së nivelit të Ibrit, Ujësjellësi i Qytetit në Kraljevo mbylli tre puse në Zhičko Polje si masë parandaluese./FolDrejt/