Frekuentimi i bibliotekave në Kosovë bazuar në matjet e lexuesve në regjistrat e bibliotekave për shtatë vitet e fundit, rezulton të jetë në krizë të thellë. Kjo gjë vërtetohet sipas listimeve në biblioteka bazuar në statistikat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Shkruan: Gëzim Olluri
Agjencia e Statistikave të Kosovës çdo vit publikon pasqyrën e hollësishme rreth ngjarjeve që i përshkojnë bibliotekat e qyteteve. Në mesin e tyre edhe numrin e lexuesve të regjistruar që i frekuentojnë bibliotekat. Sipas të dhënave statistikore që bibliotekat ia dërgojnë ASK-së, numri i lexuesve të regjistruar në tempujtë e dijes është rënë dukshëm viteve të fundit, shkruan Fol Drejt.
Sipas të dhënave të ASK-së, në vitin 2016 në regjistrat e bibliotekave publike kishte 278 mijë e 176 lexues, kurse në vitin 2021 në listimet e bibliotekave figurojnë vetëm 52 mijë e 929 lexues. Bazuar në informacionet ravijëzuese nga viti 2017 e deri në vitin 2021, numri i lexuesve të regjistruar ka shkuar duke rënë dhe ka mbetur nën shifrat e 160 mijë lexuesve që i vizitojnë bibliotekat.
Edhe organizimi e realizimi i aktiviteteve letrare në biblioteka është në rënie. Derisa në vitin 2018 është regjistruar numri më i madh i aktiviteteve kulturore e letrare ndër vite, gjithsej 738, në vitin 2021 janë mbajtur vetëm 532 aktivitete kulturoro-letrare.
Krahasuar statistikat e vitit 2018 me vitin 2021, numri i lexuesve në rënie është në bibliotekat e Deçanit, Gjakovës, Istogut, Kaçanikut, Klinës, Fushë Kosovës, Kamenicës, Mitrovicës Jugore, Lipjanit, Kastriotit, Pejës, Prishtinës, Skenderajit, Therandës, Ferizajit, Vitisë, Vushtrrisë, Zubin Potokut, Malishevës, Elez Hanit, Kllokotit dhe Mitrovicës Veriore.
Nga ana tjetër, numri i lexuesve në vitin 2021 krahasuar me vitin 2018, rezulton të jetë më i madh në bibliotekat e Drenasit, Gjilanit, Dragashit, Rahovecit, Podujevës, Prizrenit dhe Shtimes. Sa i përket aktiviteteve rreth kulturës e letërsisë, më shumë aktivitete në vitin 2021 sesa në vitin 2018, janë organizuar në qytetin e Gjakovës, Gjilanit, Dragashit, Kamenicës, Mitrovicës Jugore, Rahovecit, Podujevës, Prishtinës, Shtimes, Vitisë e Klokotit.
Bazuar në informacionet statistikore të ASK-së, gjatë vitit 2021 në bibliotekat publike kanë hyrë 46 mijë e 867 tituj të rinj librar. Aktualisht janë 105 biblioteka publike në të gjitha qytetet e Republikës së Kosovës, ndërsa në fondin e tyre librar gjenden 1 milion e 757 mijë e 863 libra.
Kujtojmë se pasluftës së viteve 1998-1999, Kosovës i është dashur t’i ndërtojë nga fillimi bibliotekat, si dhe të grumbullojë fondin librar për bibliotekat publike e shkollore. Sipas të dhënave nga institucionet lokale e qendrore të Kosovës, nga ish-regjimi serb janë mbyllur, shkatërruar e djegur rreth 600 biblioteka të të gjitha llojeve në Kosovë. Kjo është bërë nga 1 tetori i vitit 1990 deri në qershor të vitit 1999.
Ndërsa, bazuar në raportin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, dokumentohet se vetëm në vitet 1998-1999, ushtria kriminale serbe i shkatërroi e i dogji 175 biblioteka, si dhe 1 milion e 665 mijë e 496 libra në Kosovë me artileri të rëndë ushtarake.