Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se Forcat e Sigurisë së Kosovës po marrin pjesë në stërvitjen fushore “Winter Exercise ‘23”, në Kars të Turqisë, krahas forcave turke dhe forcave të 8 vendeve tjera partnere.
Siç ka njoftuar Mehaj, FSK është duke marrë pjesë me një kontingjent të përbërë me kapacitete të këmbësorisë së mekanizuar, mortajave, kërkim-shpëtimit dhe oficerë stafi.
“Qëllimet e stërvitjes përfshijnë sigurimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në operacionin e kombinuar, testimin e aftësive luftarake të trupave, rritjen e sinkronizimit të zjarrit dhe manovrimit, trajnimin e trupave në tema kyçe si: dislokimi, shërbimi i ushqimit, veshmbathja, furnizimi dhe aktivitetet e mirëmbajtjes, mbijetesën, si dhe funksionimin e sistemit të komandës dhe kontrollit në dëborë dhe kushte të vështira dimri”, ka thënë Mehaj./FolDrejt/