Kryetari i Alternativës në Maqedoninë e Veriut, Afrim Gashi, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Përmes një postimi në facebook, Gashi ka vlerësuar se agjërimi i muajit të Ramazanit është një dimension i veçantë i jetës së besimtarëve myslimanë.
“Sonte, kur fillon muaji i shenjtë i Ramazanit, dëshiroj që përveç urimit të përzemërt për fillimin e agjërimit, të shpreh edhe kënaqësinë që po takohemi përsëri nën hijen e mëshirës së këtij muaji.
Me këtë rast dua të theksoj se agjërimi i muajit të Ramazanit është një dimension i veçantë i jetës së besimtarëve myslimanë. Duke agjëruar për një muaj rresht, pra duke i vendosur vetes kufizime nga ushqimi, por edhe nga fjalët e pakëndshme e deri në kufizimin e mendimeve të liga, besimtari arrin ta aktivizojë një shqisë të përtejme, që reflekton me dashuri, dhembshuri, respekt, maturi dhe qëndrueshmëri, virtyte këto që bëhen kapital shpirtëror i tij në pjesën tjetër të vitit.”, është shprehur Gashi në postimin e tij.
Duke uruar Ramazanin, Gashi njëkohësisht u ka bërë thirrje të gjithë aktivistëve, në veçanti atyre të Alternativës, të jenë të kujdesshëm në komente, vlerësime e gjykime, sepse sipas tij agjërimin nuk e prish vetëm një kafshatë buke e një pikë uji, por edhe një fjalë e ligë.
“E meqë Ramazani është një muaj i këndelljes shpirtërore, kjo është një mundësi që ne ta dëshmojmë veten edhe ndaj familjes, fqinjit, të vobektit, fëmijëve, pleqve, të sëmurëve dhe bashkëpunëtorëve.
Lutja ime është që agjërimi, lutjet dhe krejt adhurimi tjetër të na mundësojë arritjen e plotnisë sonë shpirtërore dhe ngjitjen në gradat më të larta të përshpirtshmërisë.
Paçi agjërim të këndshëm e të pranuar!”, ka shtuar tutje Gashi në postimin e tij./FolDrejt/