E shtunë, 20 Prill, 2024

GASHI TAKON AMBASADORIN CHABERT – VIJNË INVESTIME NGA FRANCA

Kompania franceze “Mr. Bricolage” do të hapë përfaqësi në Kosovë. Shoqëruar nga ambasadori francez në Kosovë, Didier Chabert, drejtori rajonal i kësaj kompanie, Goce Markov, u takua me Ministrin e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi.

Markov tregoi përvojën e tij të investimeve në shumë vende të botës, veçanërisht në Maqedoni dhe Bullgari duke theksuar se janë të interesuar të hapin rrjetin e dyqaneve dhe brendeve të kompanisë “Mr. Bricolage” edhe në Kosovë.

Lexoni edhe..

Ai theksoi se tashmë kanë filluar identifikimin e vendeve, si në zonën e Veternikut dhe në Fushë-Kosovë, për t’i filluar investimet dhe hapjen e rrjetit të brendeve të kësaj kompanie, njofton Klan Kosova.

Gashi i informoi ambasadorin francez dhe Markov për rëndësinë e procesit të investimeve strategjike, në veçanti për formën që duhet ta ndjekin bizneset franceze për ta fituar statusin e investitorit strategjik.

Ai ka prezantuar githashtu mundësinë që ka Kosova për kompanitë franceze dhe rolin që Qeveria e ka në këtë proces të kualifikimit si investitor strategjik, në veçanti rreth procedurave të lehtësuara që duhen ndjekur, tarifat doganore  dhe çështjen e taksave.

Ambasadori Chabert njoftoi se kompanitë franceze kanë interesim për Kosovën dhe këtë vit, në kuadër të Javës Frankofone, në Prishtinë do të mbahet një takim vetëm me kompani franceze, të cilat do të mund të njihen nga afër me sektorët strategjikë, mundësitë që ofron Kosova  dhe procedurat e kualifikimit si investitor strategjik, transmeton Klan Kosova.

Gashi shprehu gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmë në prezantimin e procedurave dhe formën e aplikimit.​

Të ngjajshme