Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, në një intervistë për një medium të Estonisë është deklaruar në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi dhe ndikimin e Rusisë përmes autoriteteve serbe.
Gërvalla ka vlerësuar se është e nevojshme të arrihet normalizimi i marrëdhënieve, mirëpo sipas saj nuk mund të ketë dialog të suksesshëm nëse Serbia kërcënon Kosovën dhe sjell ushtrinë pranë kufirit kosovar.
“Është e nevojshme të arrihet normalizimi i marrëdhënieve, bëhet fjalë për njohje reciproke dhe mund të ndodhë. Por dialogu kërkon dy palë të interesuara dhe për momentin ndjej se Serbia nuk është shumë e përkushtuar ndaj tij”.
“Një dialog i suksesshëm nuk mund të zhvillohet nëse fqinji ynë na kërcënon dhe sjell ushtrinë e tij në kufirin tonë.”, ka thënë Gërvalla.
Gërvalla gjithashtu ka folur në lidhje me ndikimin që ka Rusia përmes Serbisë dhe ka kërkuar kështu mesazhe të qarta nga BE dhe aleatët e tjerë.
“Derisa Kosova merr pjesë në stërvitjet ushtarake me vendet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, Serbia ka pasur më shumë se 100 stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë deri në vitin 2021. Ne i kuptojmë këto mesazhe dhe e dimë se Rusia është një kërcënim për rajonin tonë përmes Serbisë dhe kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për mesazhe të qarta nga Bashkimi Evropian dhe aleatët e tjerë”
“Ne e dimë se negociatat e Brukselit përballen me shumë sfida, por jemi të bindur se delegacioni ynë do të arrijë rezultate të mira atje nëse Serbia vërtet fillon t’i marrë gjërat seriozisht”, ka shtuar Gërvalla./FolDrejt/