Gjaja ma e çmuar
Poezi nga Burhan Fili
Për arratisjen time, Nanës s’i tregova,
se e ndiente… në heshtje e kuptova.
Shpesh bisedonim për jetën plot vështirësi,
nji jetë të zbehtë plot sëkëlldi.
Gjatë bisedave që banim shpeshherë,
më thonte: “Ah, sikur të ishim zogj në erë…
në qiell të lirisë të fluturonim,
nga kjo jetë mënxyrë të shpëtonim!”
Me zanin e ambël më thonte: “O bir,
gjaja ma çmuar asht të jesh i lirë,
për fitimin e sa asgja mos kurse,
pa pranin e saj s’shijon Atdhe!”
Edhe sot me andje ato biseda i kujtoj,
si atëherë dhe sot me shpirt i çmoj! /FolDrejt/