Gjashtë policë kanë marrë lëndime gjatë operacionit të sotëm kundër kontrabandës së mallrave në veri.
Disa banorë serbë sulmuan me bombola gazi, shok bomba e armë zjarr policët gjatë aksionit, transmeton Telegrafi.
“Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, deri më tani janë raportuar se (6) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre (5) zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe (1) i nacionalitetit serb. Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e Policisë thuhet se përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë veriore grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare.
Më herët, Telegrafi gjithashtu ka publikuar pamje nga momenti kur serbët kanë sulmuar pjesëtarët e policisë derisa po kryenin një operacion kontrolli në një barnatore në veri të Mitrovicës.
Lidhur me situatën e krijuar në veri ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe se do të luftohen. Raporton Telegrafi percjell Foldrejt.com