Salome Zurabishvili i fitoi zgjedhjet presidenciale të Gjeorgjisë, duke u bërë gruaja e parë në këtë vend që do të udhëheqë zyrën e të parit të shtetit.
Me gati të gjitha votat e numëruara, ish-diplomatja ka siguruar 59% të tyre, ndërsa rivali i saj, Grigol Vashadze, 40%, transmeton REL.
Zurabishvili është mbështetur nga partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, ndërsa Vashadze ka qenë kandidat i opozitës së bashkuar.
Zurabishvili, 66 vjeçe, ka lindur në Francë, pasi prindërit e saj kanë ikur nga Gjeorgjia në vitin 1921, pas aneksimit të saj nga forcat sovjetike.
Zurabishvili ka thënë se favorizon balancimin e marrëdhënieve të Gjeorgjisë me Rusinë dhe Perëndimin.
Kushtetuta e re e Gjeorgjisë pritet të hyjë në fuqi dhe ajo do ta bëjë rolin e presidentit kryesisht ceremonial.