Gjermania dhe Austria dhanë dritën jeshile pagesës në rubla për dërgesat e gazit rus pasi Rusia ndaloi rrjedhën në Poloni dhe Bullgari pasi të dyja refuzuan kushtet e pagesës në rubla.
Sipas raporteve në media, kancelari austriak, Karl Nehammer së bashku me kompaninë energjetike austriake OMB njoftoi marrëveshjen për të paguar importet e gazit rus në rubla, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Kompania gjermane e energjisë Uniper tha se skema e pagesës në rubla për Rusinë nuk është në kundërshtim me sanksionet.
“Sipas skemës së re të pagesave, ne besojmë se kontratat e furnizimit me Rusinë janë përmbushur”, tha në një konferencë për media shefja e financave të kompanisë Uniper, Tiina Tuomela.
Kompania ruse e energjisë Gazprom njoftoi se ka pezulluar dërgesat e gazit në Bullgari dhe Poloni për shkak të refuzimit të tyre për të paguar importet e gazit në rubla.
Më 31 mars, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se “vendet jomiqësore” për furnizimet me gaz tani duhet të paguajnë në rubla pasi Bashkimi Evropian (BE) dhe SHBA ngrinë asetet valutore të Bankës Qendrore Ruse për shkak të luftës në Ukrainë, që filloi më 24 shkurt.
Putin tha se duke ngrirë asetet ruse në dollarë dhe euro, Perëndimi efektivisht ka konfiskuar pagesat për dërgesat e karburantit dhe i ka marrë ato falas. Ai po ashtu tha se Rusia nuk mund të vazhdojë tregtinë në euro dhe dollarë me rrezikun e ngrirjes së pagesave të reja.
Sipas urdhrit të presidentit Putin, vendet perëndimore duhet të hapin llogari në rubla në bankat ruse për të paguar gazin.
Tuomela tha se pezullimi i gazit nga Rusia ndaj Polonisë vlen për rreth 7 miliardë metra kub në vit./FolDrejt/