Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger.
Presidentja ka shprehur falënderimin e saj për Gjermaninë për përkrahjen e vazhdueshme që i ka ofruar Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, duke potencuar se ky shtet mbetet një nga partnerët më të besueshëm të vendit tonë, transmeton telegrafi, përcjell FolDrejt.com.
“Presidentja Osmani ka përmendur procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, duke theksuar se janë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim dhe se nuk ka arsye për të vonuar edhe më tutje këtë proces. Në këtë kontekst, Presidentja ka theksuar nevojën e thellimit të mëtutjeshëm të raporteve ndërmjet dy shteteve, duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, diplomatik e kulturor. Osmani poashtu ka theksuar se sundimi i ligjit është parakusht për zhvillim të mëtutjeshëm të Republikës së Kosovës, dhe e afron vendin tonë më afër Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e bërë nga presidenca.
Tutje në njoftim thuhet se sa i përket procesit të dialogut, presidentja Osmani theksoi se prioritet për Republikën e Kosovës duhet të jetë zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë si dhe përmbyllja e procesit me njohje reciproke. Ajo poashtu potencoi se forcimi i aleancave me shtetet mike është i domosdoshëm për suksesin e vendit tonë.