Komuna e Gjakovës shënon sot festën e Ditës së Çlirimit. 14 qershori i vitit 1999 i dha fund vuajtjeve, vrasjeve dhe persekutimeve të ish-regjimit kriminal serb.
Aktivitetet e kësaj dite kanë nisur me homazhet dhe vendosjen e kurorave me lule në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve të kësaj komune.
Ardian Gjini, kryetar i komunës së Gjakovës, ka përkujtuar sakrificat e popullit shqiptar në rrugëtimin e tij drejt lirisë që gëzojmë sot.
“Çmim jashtëzakonisht të madh ka paguar komuna jonë për liri dhe këto gjenerata, por edhe ata që e kanë përjetuar luftën, por edhe gjeneratat e reja kanë për t’u gëzuar në këtë ditë dhe unë u them urime të gjithëve se nuk ka asgjë më të shtrenjtë se liria”, tha thënë Gjini.
Duke folur për obligimet si kryetar komune në të ardhmen, ai tha se duhet të jetë një angazhim i përbashkët i të gjithëve për të krijuar një jetë më të mirë në të ardhmen për të gjithë qytetarët.
“Është punë e vazhdueshme e imja, por edhe e të gjithë tjerëve, është angazhim që këtë çmim që e kemi paguar këtë vlerë që e kemi marrë, e që është liria për ta ta bërë më të mirë për çdo ditë. Përkundër halleve dhe derteve, vështirësive të jetës, asnjë njeri nuk duhet harruar sa e vlefshme është kjo ditë për të ditur se si kemi jetuar përpara dhe si jetojmë sot. Duhet gëzuar kësaj dite për ta bërë më të mirë”, ka thënë Gjini.