Globalizimi është përhapur kudo. Mjafton të ndezësh kompjuterin në mëngjes kur arrin në zyrë apo të ndezësh televizionin natën në shtëpi për të “parë” gloablizimin. Mjafton vetëm se të hyni në Mc Donald’s apo të visheni në GAP për ta kuptuar atë. Duke nisur nga programet operative logjike Windows deri tek seritë televizive, nga hamburgerat deri tek xhinset: mondalizimi shihet kudo, tek gjërat jomateriale dhe abstrakte. Ai përhap ide, koncepte, inovacione dhe simbole të cilat statistikat e tregtisë ndërkombëtare e kanë shumë vështirë që ti pasqyrojnë”. Shkurt thënë, globalizimi për individët ka të bëjë me gjërat të cilat ata çdo ditë i përdorin, i konsumojnë, i veshin apo me to punojnë. Sadoqë mundohemi që nëpërmjet raporteve statistikore të japim të dhëna për ndikimin e globalizimit, efektet e këtij fenomeni janë shumë më të mëdha se aq, pasi që prekin çdo moment të jetës sonë.
Globalizimi ka kaluar nëpër tre etapa. Globalizimi 1.0 ka zgjatur prej vitit 1492, kur Kristofor Kolombo nisi udhëtimin e tij për zbulimin e kontinentit që pas disa shekujsh do të merrte timonin e qeverisjes së globalizimit, deri në vitet 1800, pra me përfundimin e Revolucioneve Industriale. Nga kjo fazë u hap tregtia mes Botës së Vjetër dhe Botës së Re. Është etapa kur shtetet mateshin mes veti nëpërmjet “muskujve”, fuqisë së kuajve, fuqisë së erës, e më vonë nëpërmjet fuqisë së avullit, dhe se si nëpërmjet këtyre kapaciteteve tentonin që ti përmisonin dhe zhvillonin edhe më tutje këto arritje.
Globalizimi 2.0 , zgjati nga viti 1800 deri në vitin 2000. Kjo etapë edhe pse pati ndërprerje në periudhën e Depresionit të Madh dhe gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, solli rezultate pozitive në aspekt të intregrimit botëror, me theks të veçantë paraqitjen e kompanive shumëkombëshe. Duke filluar nga bashkimi i kompanive hollandeze me ato gjermane, këta kompani shumëkombëshe u përhapën ndërkombëtarisht në tregjet e mallrave dhe shërbimeve, si dhe në tregun e punës. Nisi fillimisht ulja e kostos së transportit, duke u shoqëruar më pas me uljen e kostos së komunikimit, e gjithë kjo falë shpikjes së telegrafit, telefonit, kompjuterit, satelitëve, kabllove optike, dhe World Wide Web-it(faqeve të internetit).
Globalizimi 3.0 është etapa e globalizimit që vazhdon akoma. Në këtë fazë paraqitet karakteri unik global, ku individët gjenden në një bashkëpunim të plotë global, pra ku të gjitha çështjet kryhen me shtypjen e një butoni të tastaturës apo klikimit të mausit të kompjuterit.