Ish-i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, për negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell, vlerësoi sot se situata e keqe në rajon, e veçanërisht mes Beogradit dhe Prishtinës, është rezultat i dorëzimit të iniciativës nga SHBA-të në Evropë në zgjidhjen e problemit të Kosovës, si dhe për faktin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk mban pasoja për veprimet e tij, shkruan Tanjug, transmeton Fol Drejt.
Ai tha për RTS se duhet t’i shikojmë faktet dhe të krahasojmë se si ishte situata në Kosovë në kohën e Trump dhe çfarë është tani kur presidenti amerikan është Joe Biden.
“Mendoj se është shumë e qartë se me zbatimin e marrëveshjeve ekonomike, ne po përpiqeshim të sillnim zhvillim ekonomik dhe vende pune për të rinjtë, të sillnim kompani dhe investime perëndimore, të hapnim kufijtë dhe tani kemi arritur një kaos për shkak të të cilit shohim se duhet të ndërhyjnë forcat e NATO-s. Ai ndryshim ishte Albin Kurti”, tha Grenell./FolDrejt/