Greva e Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve do të vazhdojë derisa Qeveria të fillojë me zbatimin e marrëveshjes për subvencionim.
Kryetari i Shoqatës së Transportuesve, Ruzhdi Kurishaj në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se nuk do të ketë transport rrugor as ditëve në vazhdim.
“Pa u zbatuar çështja e pagesës nuk ka kthim prapa, derisa nuk ka zbatim të marrëveshjes nga Qeveria, nuk ka transport rrugor. Kur Qeveria merr vendim dhe fillon të bëjë pagesat atëherë jemi në rregull. Protesta vazhdon”, theksoi ai.
Greva e Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve, e të cilët vendosen që të ndalin qarkullimin e autobusëve ka filluar ditën e mërkurë.
Ndërkohë që kryeministri në detyrë Avdullah Hoti nëpërmjet një komunikate për media ka kërkuar nga SHTU-ja që sa më parë të kthejnë shërbime për qytetarët. Ai ka shprehur gatishmërinë për diskutim me përfaqësuesit e këtij sektori me qëllim të gjetjes së një zgjidhje të favorshme.