Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, dënoi në “mënyrë të fuqishme” sulmin me raketa që ushtria ruse kreu në qytetin Dnipro të Ukrainës.
Stephanie Tremblay, zëdhënësja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, në një deklaratë është shprehur se Guterres ka dënuar në “mënyrën më të fuqishme” sulmin raketor ku humbën jetën të paktën 40 persona, shumë të tjerë u plagosën dhe ku dhjetëra persona janë të humbur, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Sekretari i Përgjithshëm, thekson se sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturave civile shkelin ligjin humanitar ndërkombëtar”, tha Tremblay.
Guterres thekson se sulmet në fjalë duhet të përfundojnë sa më parë, theksoi Tremblay, duke bërë të ditur se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, shpreh ngushëllime për familjet e atyre që kanë humbur jetën dhe uron shërim të shpejtë për të plagosurit në sulmin në Dnipro.
Në sulmin me raketa që ushtria ruse kreu më 14 janar në një ndërtesë me 9 kate në qytetin Dnipro të Ukrainës, humbën jetën 40 civilë, përfshirë edhe fëmijë, si dhe u plagosën 75 persona të tjerë.
Pas sulmit në Dnipro u shpall tre ditë zie.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke mohuar akuzat lidhur me sulmin raketor në Dnipro, në një deklaratë dje tha se “Ushtria ruse nuk kryen sulme ndaj ndërtesave të vendbanimeve ose objekteve të infrastrukturës sociale. Edhe ju i keni parë konkluzionet e disa përfaqësuesve të palës ukrainase se tragjedia është shkaktuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore”./FolDrejt/