Në 100 ditshin e parë të qeverisjes së tij, kryeministri, Ramush Haradinaj kishte marrë vendim për rritje të pagave në 23 nivele të ndryshme zyrtare duke filluar nga ai deri tek zyrtarët për komunikim me publikun në qeveri.
E ky vendimi i kryeministrit Ramush Haradinaj, bëri që të ketë reagime të shumta. Madje kundër këtij vendimi ka dalë edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili tashmë ka marrë vendim që të mos e pranoj pagën me rritje, pavarësisht asaj që Gjykata Kushtetuese konstatoi se vendimi për rritjen e pagave është në përputhje me Kushtetutën.
Hamza ka dalë kundër këtij vendimi, pasi që siç thotë ai kjo është e dëmshme për buxhetin e shtetit të Kosovës. Këtë e ka konfrimuar për Telegrafin këshilltari i tij, Lulzim Rafuna.
“Ministri nuk do ta shfrytëzojë të drejtën me marrë pagën me rritje”, u shpreh Rafuna, duke shtuar se ministri në mbledhjen e Qeverisë e ka thënë se rritja e pagave duhet të rregullohet me ligj.
Rafuna më tej theksoi se përpos ministrit Hamza, pagën me rritje nuk do ta pranojnë as këshilltarët e tij.
“As këshilltarët e ministrit nuk do ta marrin pagën me rritje”, tha Rafuna.
Ministri i Financave, Bedri Hamza kishte abstenuar në momentin kur kabineti qeveritar votoi që të hiqet pezullimi që Qeveria kishte vendosur për vendimin kur rasti ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje.
Lidhur me këtë vendim të ministrit Hamza, ka folur sot edhe kryeministri Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë.
Haradinaj është shprehur se edhe ai mund ta bëjë një refuzim të tillë të pagës, por që sipas tij kjo nuk tregon ndonjë vlerë.