Piktori Mentor Berisha, në ciklin e fundit, ka trajtuar temën e rezistencës paqësore të viteve 90-ta në Kosovë, duke përfshirë motive nga „Greva e Minatorëve të Trepçës“ dhe „Falja e Gjaqeve“, transmeton Fol Drejt.
Në motivet e këtij cikli gjendet një histori kulturore e trashëgimisë kosovare, që përmes laboratorit krijues artistik rigjejnë rrugën e kthimit në kohën tonë. Ato na rishfaqen si arketipe identitare përmes një stili mjaft të veçantë, siç është ekspresionizmi modern, ku pikturat e Berishës shprehin më tepër se anën e tyre dydimensionale.
Berisha, në këtë cikël përdorë një teknikë të veçantë, `spachtel`, duke pikturuar `Alla Prima`; piktura që manifestojnë një strukturë plastike pikturimi që dalin nga tehu elastik përbrenda e paralelisht me sipërfaqen e kanavacës. Në të krijohen thellësi figuracionesh që kanë avantazhin e dimensionit të tretë – e që mundësohet nga ndikimi i efektit të dritës, e ku vende vende, shtresat e trasha krijojnë korrespondencë me skulpturën. Motivi „Falja e Gjaqeve“ paraqet masa njerëzish në “Verrat e Llukës”, vendi ku qindra mijëra njerëz u mblodhën në përkrahje të aksionit, e që në formë abstrakte na shfaqen herë në pritje (si spektatorë) e herë në marsh – drejt karvanit të aksionit. Aty gjejmë edhe figura, ku viktima dhe dorasi portretizohen në aktin e pajtimit, si akt transformues kolektiv. Edhe te „Greva e Minatorëve të Minierës së Trepçës“, shpaloset tema e rezistencës, solidaritetit dhe luftës për drejtësi. Figurat pasqyrojnë vendosmërinë dhe unitetin e punëtorëve në betejën e tyre kundër mekanizmave të pushtetit. Përdorimi i ngjyrave të theksuara përcjellin energjinë dhe vendosmërinë e tyre për ndryshim.
Ekspozita është hapur dje në Baden të Vjenës dhe do të jetë e hapur deri më 1 tetor. Ajo do të bartet edhe në disa qytete tjera të Austrisë. Kurator i ekspozitës: Alban Beqiraj
Ky projekt është mbështetur nga Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
/FolDrejt/