Me shfaqjen e filmit “The Mind Game” të Sajid Khan Nasiri, Eefje Blankevoort dhe Els Van Driel, në Qendrën Kulturore Boshnjake u hap edicioni i gjashtë i Festivalit të Filmit Dokumentar Al Jazeera Balkans (AJB DOC).
Filmi ndjek Sajid Khan Nasirin i cili ishte vetëm 14 vjeç kur u arratis nga Afganistani. Pas një udhëtimi dyvjeçar plot rreziqe dhe vështirësi, momente të cilat i ka regjistruar me detaje me kamerën e telefonit të tij, ai mbërrin në Belgjikë, ku do të kërkojë azil. Ai ishte i sigurt se pasi të mbërrinte në atë vend, do të pushonte, do të shkonte në shkollë dhe do të fillonte një jetë të re. Megjithatë, aty fillon një luftë krejtësisht e re. Ky është një dokumentar intim për presionin psikologjik me të cilin përballen refugjatët e rinj, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Publiku gjatë Festivalit AJB DOC, i cili do të zgjasë deri më 12 shtator, ka mundësinë të shikojë 24 dokumentarë me cilësi të lartë me fokus të drejtat e njeriut.
Drejtori i festivalit AJB DOC Edhem Foco, tha për Anadolu se këtë vit AJB DOC dërgon një mesazh që të përpiqemi të jemi njerëz më të mirë dhe të bëjmë gjërat e duhura, duke shtuar se publiku mund të presë patjetër filma të mrekullueshëm.
“Ndonjëherë tronditëse, trishtuese, dramatike, por në çdo rast të vërteta. Këto janë histori reale të njerëzve të zakonshëm. Mendojmë se përzgjedhja e këtij viti është ndoshta më e mira. Ne e themi këtë çdo vit, por çdo vit ne habitemi se sa shumë njerëz bëjnë me të vërtetë filma të mirë dhe cilësor”, thotë Foco, duke shtuar se shpreson që edhe këtë vit publiku t’u përgjigjet në masë shfaqjeve.
Drejtori i Kanalit Dokumentar Al Jazeera, Ahmed Mahfouz, thotë se ndodhet në Sarajevë jo vetëm për të promovuar rrjetin Al Jazeera, por edhe Al Jazeera Balkans.
“Ky është një ngjarje e suksesshme që është bërë një nga ngjarjet e njohura në fushën e kësaj industrie”, tha Mahfouz, duke theksuar se ata janë gjithashtu krenarë për platformën AJD Industry Days, e cila synon të sigurojë hapësirë shtesë për krijuesit e filmave dokumentarë në mbarë botën.
Në ceremoninë e hapjes së festivalit morën pjesë edhe drejtori i Al Jazeera Balkans, Tarik Gjoxhiq, autorë filmash të shumtë dhe figura të tjera të jetës publike të Bosnje e Hercegovinës.
Në kuadër të Festivalit të Filmit AJB DOC, nga data 9 deri më 11 shtator do të mbahet edhe edicioni i dytë i Ditëve të Industrisë Dokumentare Al Jazeera @ AJB DOC, që synon të forcojë dhe mbështesë zgjerimin e prodhimit të filmit dokumentar në botë.
Në bashkëpunim me Institutin e Medias Al Jazeera dhe në partneritet me Samsung dhe UNFPA, do të mbahet edhe sesioni treditor i trajnimit “Prodhimi i filmave dokumentarë me smartphone” për autorë të rinj nga rajoni, nën udhëheqjen e Faris Bajriq.
Edicioni i sivjetshëm i Festivalit të Filmit AJB DOC, mbahet nën kujdesin e BH Telecom, ndërsa Anadolu është partneri global i komunikimit.
Tre çmime do të jepen në festival, edhe atë Çmimi Kryesor AJB DOC, Çmimi i Programit AJB dhe Çmimi i Publikut.
Festivali synon të inkurajojë shkrimtarët dhe dokumentarët që merren me fenomenet shoqërore duke u përqendruar në vlerat universale njerëzore, përfshirë filmat dokumentarë të përshtatur për transmetimet televizive./FolDrejt/