Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar Jusuf e Bardhosh Gërvallën, Kadri Zekën dhe Gjergj Kastriotin, duke thënë se 17 janari i lidh së bashku me flijimin për atdhe.
Sipas Haradinajt, që të gjitha këto personazhe kanë pasur një qëllim, mbrojtjen e Shqipërisë.
“Zemra e themeltarit të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pushoi së rrahuri më 17 janar 1468. Gjenerali që është frymëzim për secilin shqiptar e trashëgimia e së cilit frymëzoi përpjekjet tona për liri përgjatë shekujve.
Po ashtu, sot kujtojmë heronjtë e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, që ranë po më 17 janar, 41 vjet më parë. Ideatorë të lëvizjes kombëtare për liri e pavarësi që bashkuan dhe prinë shqiptarët drejt çlirimit, deri në frymën e tyre të fundit.
Ata ranë, por lanë trashëgim te mijëra të tjerë, planet e lirisë. Ata ishin arkitektët e saj”, ka shkruar Haradinaj në facebook./FolDrejt/