Kryeministri Ramush Haradinaj, sot në Kuvend ka thënë se nuk do e tolerojë edhe më tutje gjendjën e tregut energjetik që po ndodhë në veri dhe se Kosova duhet të vendos të drejtën e saj në tregun energjik në gjithë vendin.
Ky deklarim i tij erdhi gjatë fjalimit të tij në seancën e sotme të interpelancës të kërkuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike, në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).
“Jemi në momentin final, marrëveshja për energji nuk është zbatuar nga pala serbe. Është e qartë se ata fitojnë 30 milionë të pastra nga kjo çështje. Nuk mund ta tolerojë në pakufi këtë gjendje dhe pagesën nga buxheti publik. Shumë veprime që kemi marr në këtë drejtim, ende nuk i kam paraqitur para jush por iu jam drejtuar personave vendimmarrës në këtë temë”, tha Haradinaj, përcjell Telegrafi.
Ai tha se kjo gjëndje në veri nuk do të ndodh pa kufi dhe se Kosova do duhet të vendos të drejtën e saj në tregun energjik.
“Ky debat është mjaft i dobishëm, sepse e konfirmon atë se të gjithë e dimë në këtë vend se s’mundet pa kufij kjo gjendje në Veri të vazhdojë. Veprimi i Qeverisë së Kosovës nuk është për t’i përkrahur këta sekserët e profiterët është vendim i marr në kohë krize. Nuk karakterizohet në ato tjerat. Kemi pranuar ta marrim përgjegjësinë në kohë të caktuar. Ju siguroj që në këtë temë, secili nga ne e kemi një interes me shtrirje të sovranitetit tonë në Veri në tregun energjetik. Kosova duhet të vendos të drejtën e saj në tregun energjik në gjithë vendin përfshirë edhe në veri sepse nuk vazhdohet kjo gjendje pakufi”, shtoi ai.
Më 5 mars 2018, Qeveria e Kosovës ka ndarë një milion euro për KOSTT, për të mbuluar faturimin e energjisë elektrike, të shpenzuar në katër komunat veriore të Kosovës.