Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në takimin e Pestë të Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, i cili përbëhet nga deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe të Parlamentit Evropian.
Para të pranishmëve, përfaqësues të Parlamentit Evropian, kryesuar nga Tonino Picula dhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, kryeministri Haradinaj tha se është shumë me rëndësi të theksohet, se qytetarët e Kosovës, të të gjitha përkatësive etnike e fetare, e konsiderojnë veten evropianë, si dhe qëndrojnë dhe mbështesin integrimin evropian të vendit tonë.
“Në këtë fazë të hershme, kemi marrëdhënie kontraktuale me BE-në, përmes MSA-së, por besojmë se ky është vetëm fillimi dhe jemi të angazhuar për anëtarësim të plotë në BE. Me seriozitet e kemi marr agjendën, e cila është pjesë e programit qeveritar. E kemi integruar me prioritetet e marra nga MSA-ja, përmes planit të Agjendës së Reformave Evropian dhe mund të konfirmoj se në fund të tetorit do të përmbyllen prioritetet e para dhe do të vazhdojmë me fazën e dytë të Agjendës së Reformave Evropiane, së bashku”, tha kryeministri Haradinaj, duke u shprehur mirënjohës ndaj të gjithë përfaqësuesve të Parlamentit Evropian për votën e tyre pro heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Haradinaj shfaqi shpresën se në këtë dinamikë Kosova do të qëndrojë së bashku në trialogun ndërmjet Parlamentit, Komisionit dhe Këshillit.
“Ne i dimë detyrat tona. Fuqizimi i sundimit të ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe të qëndrojmë të fokusuar në planin tonë të punës dhe veprimeve këtu. Në këtë drejtim, mund të llogaritni në ne. Ne po punojmë në mënyrë substanciale në fushën e sundimit të ligjit, jo vetëm përmes lëndëve të shënjestruara, por përmes konsolidimit të sistemit të drejtësisë. Nuk duam të jemi vetëm konsumues të sigurisë. U jemi mirënjohës të gjitha vendeve që na kanë ndihmuar, NATO-s, EULEX-it dhe për tërë mbështetjen që kemi marrë. Por, tani ka ardhur koha, që ne të jemi edhe ofrues të sigurisë. Transformimi i FSK-së në ushtri është në shërbim të kontribuimit për sigurinë. Duke u bërë anëtare e NATO-s, ne synojmë të kontribuojmë për sigurinë në rajon dhe më gjerë”, tha kryeministri Haradinaj.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj, foli edhe për raportet me fqinjët, por edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se Kosova është e interesuar për njohje reciproke përmes marrëveshjes së detyrueshme ligjore.
“Kjo njohje nuk duhet të jetë temë e korrigjimit apo lëvizjes së kufijve. Ajo që quhet korrigjim, është një mënyrë për t’u kthyer në të kaluarën tragjike. Ajo që duhet të arrijmë së bashku dhe që shpresojmë të ndodhë ndonjë ditë, është një marrëveshje paqeje. E kaluara jonë ishte tragjike. Plagët janë ende të hapura në vendin tonë. Ky është kontributi më i madh që mund të japë vendi ynë”, tha Haradinaj.
Ai po ashtu tha se është i interesuar të arrihet një marrëveshje obligative ligjore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por jo përmes territoreve, jo përmes kufijve dhe jo duke i bërë thirrje të kaluarës sonë tragjike.
“I bëjmë thirrje secilit vendimmarrës në Evropë dhe më gjerë, të mos lejojnë që procesi të shkojë në drejtimin e gabuar dhe që të jenë në kohë për të thënë jo, sepse në të kaluarën vonesat kanë kushtuar me jetë të njerëzve. Ne nuk jemi të interesuar të shohim rajonin dhe Ballkanin të kthehen mbrapa në atë kohë të tragjedive. Ne jemi të ndarë këtu në Parlamentin tonë, pozitë-opozitë, parti të ndryshme, kemi komunitete të ndryshme, Listën Serbe. Kur vjen puna te agjenda evropiane, gjithmonë do ta gjejmë mënyrën që të jemi bashkë. Qytetarët e Kosovës presin nga ne që të bëhemi të gjithë bashkë dhe të sigurojmë perspektiven evropiane të vendit tonë”, tha Haradinaj.
Në takimin e Pestë të Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, folën edhe bashkëkryesuesi i Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, njëherësh udhëheqës i delegacionit të Parlamentit Evropian, Tonino Picula, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.