Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar në 25-vjteorin e vrasjes së tyre, 54 shqiptarët e Lubizhdës së Hasit.
Ish-kryeministri thotë se rajoni i Hasit dha shumë për atdheun, dhe shprehet i lumtur se sot në Lubizhdë po finalizohet shtëpia muze “Kulla e Qëndresës, e cila sipas Haradinajt do të shërbejë si përkujtesë për sakrificën dhe kontributin e shumë brezave deri tek liria.
“Liria e atdheut, në themelet e saj ka sakrificën e të rënëve dhe kontributin e shumë heronjve ndër breza. Rajoni i Hasit dha shumë për atdheun. Shumë burra nga kjo tokë ishin gjithmonë aty për të dhënë kontributin për liri e çlirim”, shkroi Haradinaj në Facebook.
“Kujtojmë sot 54 shqiptarë të kësaj ane që u ekzekutuan mizorisht mbi fshatin Lubizhdë të Hasit, nga data 12 prill 1999 për shumë ditë me radhë, shumë nga ta të rinj në moshë”.
“Derisa nderojmë dhe kujtojmë sakrificën e heronjve, jam i lumtur që në këtë ditë, në Lubizhdë po finalizohet shtëpia muze “Kulla e Qëndresës”, të cilës i patëm vu gurthemel. Kjo kullë do të shërbejë si simbol i përkujtesës për sakrificën dhe kontributin e shumë brezave deri tek liria”.
“Urime hasjanë për Kullën! Sakrifica e të rënëve dhe luftëtarëve të lirisë, do të mbijetojë shekujt!”.