Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim përfaqësuesit e sindikatës së Postës së Kosovës, kryesuar nga Etrit Hoti, me të cilët ka biseduar për gjetjen e një zgjidhje afatgjate për këtë ndërmarrje publike.
Gjatë takimit kryeministri Haradinaj është njoftuar nga sindikalistët për sfidat me të cilat është duke u përballur kjo ndërmarrje, në të njëjtën kohë sindikalistët kanë paraqitur kërkesat për të cilat sipas tyre duhet gjetur zgjidhje e përbashkët.
Kryeministri Haradinaj tha me këtë rast se Qeveria e Kosovës është e gatshme për mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje duke marrë parasysh se në këtë ndërmarrje publike marrin paga një numër i madh i punëtorëve.
Ai këto komente i ka bërë në profilin e tij në Facebook.
“Jemi duke ndjekur nga afër gjendjen në Postën e Kosovës e cila deri vonë ka qenë ndërmarrje shumë e suksesshme, por që tani është duke u përballuar me një gjendje jo të mirë financiare, andaj në bazë të kompetencave dhe mundësive do të gjejmë zgjidhje të kënaqshme”, tha kryeministri Haradinaj.
Gjatë takimit është biseduar edhe për çështjen e shërbimeve universale postare dhe për mundësinë që institucionet e Kosovës shërbimet e tyre t’i marrin nga Posta e Kosovës, për të cilat kryeministri Haradinaj tha se do të shqyrtohen mundësitë që Qeveria si aksionar kryesor, të gjejë një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme, duke i marrë përsipër obligimet e deritashme, sidomos për shërbimet universale postare.
Nga ana e tyre, sindikalistët falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen duke u shprehur se do të bashkëpunojnë në gjetjen e një zgjidhje për këtë ndërmarrje dhe për punëtorët e saj.