Ramush Haradinaj i ka ofruar mbështetjen e Qeverisë Berat Rukiqit, i zgjedhur javën e shkuar më krye të Odës Ekonomike.
Gjatë takimit me të, Kryeministri Haradinaj ka shprehur gatishmërinë për t’i ofruar ndihmën e nevojshme bizneseve dhe prodhuesve, në mënyrë që Kosovë të rritet ekonomikisht.
“Ne, si Qeveri e vendit, e konsiderojmë Odën Ekonomike partner dhe jemi të hapur të propozojmë dhe t’iu ndihmojmë bizneseve dhe prodhueseve që Kosova të lëvizë përpara në rritjen ekonomike”, tha Haradinaj.
Sipas tij, liberalizimi i vizave mundëson lirshëm qarkullimin e mallrave dhe transportit të tyre.
“Liberalizimi ndihmon në qarkullimin e mallrave dhe transportin e tyre të cilat kanë peshë në zhvillimin ekonomik”, pohoi Haradinaj,
Haradinaj përmendi edhe zonat ekonomike, të cilat shpreson se do të reflektojnë në ekonominë e vendit.
“Qeveria e Kosovës ka iniciativë dhe po bën diçka, nuk po rrimë, po bëjmë zona ekonomike të vendit dhe disa prej tyre janë tepër me rëndësi siç është parku i biznesit në Prizren, zona amerikane në Gjakovë”, tha Haradinaj.