Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se zbatimi i agjendës evropiane është interes strategjik për vendin.
Ai këto komente i ka bërë në takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, në të cilin takim kërkoi intensifikim të punës për përmbushjen e reformave të agjendës evropiane.
“Zbatimi i agjendës së reformave evropiane, është pjesë e vendimeve të rëndësishme, sidomos pjesa e liberalizimit të vizave”, ka shtuar Haradinaj.
Ai ka thënë se synimi strategjik, në kuadër të zbatimit të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA), është përmbushja e kritereve për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
“Ministritë e linjës t’i realizojnë të gjitha rekomandimet që janë përpara. Duhet të diskutojmë ku kemi ngecje dhe duhet të veprojmë në mënyrë të ndërsjellë, me ç’rast duhet bashkëpunim edhe me Kuvendin e Kosovës”, ka theksuar Haradinaj.
Sipas tij, zbatimi i agjendës evropiane është interes strategjik, në kuadër të cilit liberalizimi i vizave është qëllim në vete.
“Në zbatimin e agjendës evropiane e kemi edhe planin e zbatimit të prioriteteve. Besoj se pas këtij takimi ta keni sa më të qartë prioritetet dhe ta keni të qartë se ku duhet të fokusoheni”, ka shtuar ai.