Nënkryetari dhe funksionari i lartë i BDI, Hazbi Lika, njëherësh zëvendëskryeministri për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ka harxhuar 235.163 denarë (rreth 4000 euro) për kafe dhe restorante jashtë institucioneve shtetërore.
Siç ka bërë me dije portali maqedonas “SDK” këtu hyjnë 130.713 denarë për shërbime hotelerie në kuadër të institucioneve, ndërsa 104.450 denarë janë për restorante jashtë institucioneve. Jashtë shtetit ka harxhuar 5.227 denarë.
Të dhënat janë marrë nga muaji maj 2018, pikërisht në kohën kur ish kryetari i Tetovës nuk është paraqitur në seancat e qeverisë. Hazbi Lika nuk ka komentuar sesi ka ardhur deri te gjithë këto shpenzime marramendëse.
Çështja e shpenzimeve të funksionarëve u bë aktuale, pasi ministri i kulturës Asaf Ademi deklaroi përmes shefit të kabinetit Faton Fazliu, se prej kur udhëheq me ministrinë e kulturës nuk ka shpenzuar asnjë denarë.
“Për disa që nuk dëshirojnë të kuptojnë e që duan të shpifin: informatën që e paraqiti dje ministri Asaf Ademi për shpenzimet ZERO ka të bëjë me pasqyrën financiare të udhëheqjes së Ministrisë së Kulturës nga ai, d.m.th. që nga dita që ai e ka pranuar detyrën më 1 qershor 2018. Ajo është e botuar edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës,” shkruante Fazliu.
Në storjen e mëparshme për shpenzimet nga kartelat zyrtare të funksionarëve shtetërorë në Maqedoni ka konstatuar se ish ministri i arsimit, Pishtar Lutfiu gjatë mandatit të tij nga data 05 prill 2016 deri më 01 qershor 2017, nga buxheti i kësaj ministrie ka harxhuar mbi 20.000 euro për shërbime të restorantit, bënte me dije SCOOP.