Grupet fanatike hebreje planifikojnë të marshojnë drejt xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar për t’i dhënë fund statusit të saj islam dhe për ta “judaizuar”, raporton AA.
Grupe të ndryshme hebreje të ekstremit të djathtë njoftuan në një deklaratë të përbashkët se do të zhvillojnë marshimin provokues të enjten në mbrëmje, që përkon me ditën e parë të Hanukkah, festivalit hebre që zgjat tetë ditë.
Në deklaratë thuhet se marshimi, i cili mori “dritën e gjelbër” nga policia izraelite, do të organizohet me qëllim “dhënies fund të administrimit të Vakëfit Islam të Kudsit në Mesxhidi Al-Aksa”, i cili është përgjegjës për administrimin e vendit të shenjtë musliman dhe “rivendosjen e sovranitetit të plotë hebre” në Kuds dhe mbi xhaminë Al-Aksa.
Marshimi do të vazhdojë drejt xhamisë Al-Aksa nga Porta e Damaskut, një nga portat kryesore të qytetit të vjetër të Kudsit.
Xhamia Al-Aksa, e cila ndodhet në qytetin e vjetër të Kudsit Lindor të pushtuar, është nën kujdesin e Vakëfit Islam të Kudsit, i lidhur me Ministrinë e Fondacioneve Jordaneze, sipas Traktatit të Paqes Izrael-Jordani të nënshkruar më 26 tetor të vitit 1994.
Por, hebrenjtë fanatikë, që nga viti 2003, kanë vijuar me praktikën e hyrjes me forcë në xhaminë Al-Aksa të shoqëruar nga policia, me vendimin e njëanshëm të Izraelit dhe iniciativat e disa organizatave të ekstremit të djathtë.
Hebrenjtë radikalë, të cilët e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, inkurajojnë izraelitët të sulmojnë Al-Aksan për të kryer rituale fetare, të shoqëruara me thirrje për ndërtimin e tempullit hebre aty.
Vakëfi ka paralajmëruar se ndërhyrjet e hebrenjve fanatikë janë shtuar vitet e fundit.
Forcat izraelite kanë vendosur kufizime për muslimanët që hyjnë në xhaminë Al-Aksa që nga 7 tetori, kur filluan sulmet kundër Rripit të Gazës dhe i pengojnë palestinezët, përveç të moshuarve, të hyjnë në xhami gjatë namazit të xhumasë, raporton AA, përcjell Fol Drejt.