Fitim Dika
Prej kohëve të vjetra Mali Sharr ka përbërë një interes të veçantë për gjeologët dhe gjeografët e shumtë. Kjo pasi orografia e ngjashme mes Korabit dhe Sharrit, përbënte ndër bjeshkët më të mëdha botërore.
Shumë vëmendje në vitin 1840 shfaqi raporti në librin « La Turquie d’ Europe » të gjeologut francez, Ami Boué nga Vjena, i cili kishte bërë shumë udhëtime drejt Bosnjës, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore dhe Serbisë. Në vitin 1841 një profesor tjetër i Botanikës nga Universiteti i Göttingen, A. Grisebach, do jepte një përshkrim poashtu të përimtësishëm për bjeshkën.
Merret si e vërtetë që Grisebach kishte ngjitur majën e Lubotenit dhe Kobilicës, që do i jepte të publikuara në shkrimin me titull « Reise durch Rumelien und nach Brussa im Jahre 1839 » – “Udhëtime përmes Rumelisë dhe drejt Brussës në vitin 1839”.
Ky libër përmbante përshkrime botanike, gjeologjike, gjeografike dhe etnografike për studiuesit e ardhshëm të Malit Sharr. Veçanërisht përshkrime të shumta do kishte pjesa veriore e Sharrit, me piramidën e Lubotenit në krye (2499m). Vetëm në matjet e fundit është përcaktuar kjo lartësi, që presim të jetë më e sakta.
Histori e shkurtër e majës së Lubotenit
Fillimisht, kjo majë vlente 3050m e lartë, dhe njëherësh edhe maja më e lartë e Ballkanit. Por më pas ra gradualisht në rreth 500m, duke mos qenë as maja më e lartë e Sharrit. Megjithatë, kjo majë akoma mban vendin e parë për bukurinë dhe krenarinë e Sharrit.
Matja e parë e Lubotenit erdhi nga ushtaraku R. von Sterneck në 1871, dy vjet më vonë T. Milinko përllogariti majën e Lubotenit me 3050m. Do ishte viti 1877, kur gjeografi ushtatrak i Austro-Hungarisë, njëherësh edhe inxhinier, Franz Jennisch, e llogariti Lubotenin në 2510m. Pra, në fund të shekullit të XIX Maja e Lubotenit do humbte epitetin si maja më e lartë. Në 1926, në hartën speciale “Kacanik”, përllogaritja e lartësisë së Lubotenit do zbriste në 2496m, kurse një matje e fundit në 1949, e korrektoi atë në 2499m, që edhe sot merret si e saktë!
Kjo tregon se studimet e mirëfillta për malet tona kanë filluar herët nga të huajt, kurse tashmë ka ardhur koha që shtetet tona të investojnë dhe nxisin në studimet orografike të maleve më impresive të kontinentit plak. Kurse për bjeshkatarët e rinj, duhet të kuptojnë se mbatja mend e lartësive përimtësisht, nuk qenka e vlefshme – pasi ata edhe sot e kësaj dite mund të ndryshojnë për pak metra!/Foldrejt.com