Deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas publikimit të koeficientit të pagave, duke konsideruar se rritja reale sigurohet vetëm nëse vlera e koeficientit është më e lartë se 125 euro.
Përmes një postimi në facebook, Hoti ka shkruar se bazuar në një llogaritje të thjeshtë, një vlerë e koeficientit prej 125 euro i ruan pagat e njëjta në fuqi blerëse, siç kanë qenë në dhjetor 2021 përpara rritjes së çmimeve.
“Pra, kjo vlerë e koeficientit nuk paraqet rritje reale të pagave. Rritje reale sigurohet nëse vlera e koeficientit është më e lartë se 125 euro. Çfarëdo vlere e koeficientit më pak se 125 euro nënkupton ulje të pagave në fuqi blerëse në mallra dhe shërbime. “, ka thënë Hoti.
“Secili i punësuar në sektorin publik mund të bëjë vetë llogaritje për tu bindur:
(i) krahasoni sasinë e mallrave që e keni blerë me pagën tuaj në dhjetor 2021 me sasinë e mallrave që e keni blerë në dhjetor 2022 (krahasoni faturat javore të ushqimeve, transportit dhe barnave që i konsumoni në familje brenda një jave, apo çmimet e mallrave dhe shërbimeve bazike);
(ii) sa duhet të jetë rritja në pagë në mënyrë që sot të blini të njëjtën sasi mallrash sikurse në dhjetor 2021?;
(iii) sa duhet të jetë vlera e koeficientit që të keni pagë me të cilën mund të blini të njëjtën sasi mallrash sikurse në dhjetor 2021?”, ka shtuar ai./FolDrejt/