Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka takuar sot Ragmi Mustafën, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, të cilit i ka shprehur përkrahjen e LDK-së për shqiptarët në Luginë të Preshevës.
Në njoftimin e Grupit Parlamentar të LDK-së, thuhet se në takim u bisedua për zhvillimet e fundit politike.
Hoti theksoi se shqiptarët si komb janë tanimë faktor vendimtar i paqes dhe stabilitetit në Ballkan, prandaj do të ketë koordinim të plotë në veprimet politike në të ardhmen.
“LDK-ja angazhohet për integrimet ndër-shqiptare dhe se Kosova duhet të merret me statusin politik të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se Grupi Parlamentar i LDK-së do të luajë rol kyç në Kuvendin e Kosovës në funksion të realizimit të qëndrimit politik të LDK-së karshi çështjes së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc.
Hoti shprehu shqetësim me faktin se shumë shqiptarë janë larguar nga këto tri komuna dhe se bizneseve shqiptare po ju bëhet presion nga shteti serb, që ka rezultuar me largim të disa bizneseve të rëndësishme.